Testin e maturës shtetërore e kaluan mbi 60 për qind të nxënësve
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka publikuar të premten rezultatet e provimit të Maturës Shtetërore 2019 (afati i gushtit), sipas të cilave kalueshmëria në këtë afat është 60.9 për qind.
Nga 8 577 maturantë që i janë nënshtruar provimit të Maturës Shtetërore në këtë afat, kanë kaluar 5.239.
Në mësimin në gjuhën shqipe, provimit i janë nënshtruar 8 474 maturantë dhe kanë kaluar 5 161, në mësimin në gjuhën boshnjake nga 43 maturantë kanë kaluar 29 prej tyre dhe në mësimin në gjuhën turke kanë kaluar 49 nga 60 sa i janë nënshtruar provimit.
Komisioni Shtetëror i Maturës falënderon edhe një herë të gjithë akterët e përfshirë në Maturën Shtetërore, të cilët janë kujdesur për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm.