Testohen dy infektologë të Klinikës Infektive
Në kohën kur të gjithë qytetarët e Kosovës janë izoluar, janë mjekët e infermierët tanë ata të cilët po qëndrojnë në krye të detyrës. Me kujdestari aktive e orare të gjata, mjekët kosovarë tash e disa ditë po qëndrojnë në krye të detyrës duke u marrë me pacientët kosovarë të cilët janë infektuar me virusin Covid 19, apo siç njihet ndryshe koronavirusin.
Duke qenë vazhdimisht në kontakt të afërt me pacientët, infektologët e QKUK-së kanë bërë analiza, me dyshimet se janë prekur nga virusi korona. Këtë detaj e ka bërë me dije gjatë ditës së martë infektologu Salih Ahmeti. Ai ka thënë se u kanë propozuar që dy mjekëve-infektologë të QKUK-së t’u bëhen analizat e nevojshme për të kuptuar nëse kanë koronavirus. Por, fatmirësisht, sipas Ahmeti, këto raste kanë rezultuar negative. “Nga kontakti i afërt që këta dy infektologë kanë pasur me pacientët, ne ua kemi bërë analizat dhe për, fat të mirë, kanë rezultuar negative”, ka thënë Ahmeti për T7.