Tetë futbollistë të Prishtinës rezultojnë pozitivë me COVID-19
Fituesi i Kupës së Kosovës FC Prishtina ka hasur në probleme edhe në udhëtimin e dytë në Gjibraltar.
Tetë futbollistë të Prishtinës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga 22 sa kanë udhëtuar në Gjibraltar.
Lajmi është konfirmuar për GBC News nga zyrtar të klubit të Prishtinës që gjenden në Gjibraltar, transmeton Klan Kosova.
“FC Prishtina konfirmon për GBC që 8 prej lojtarëve të tyre kanë testuar pozitivë për Covid-19. Pala e re mbërriti dje me çertifikata “negative” nga Kosova për ndeshjen e tyre të ri-planifikuar të Europa League kundër @LincolnRedImps .Ne do t’ju mbajmë të informuar”. thuhet në njoftim.
Klan Kosova ka kontaktuar edhe me Granit Begolli i cili ka thënë se ende nuk kanë arritur të kontaktojnë me zyrtarët e Prishtinës.
“Pritet vendimi se çka do të ndodhë me fatin e ndeshjes”.
Kujtojmë, Prishtina kishte pasur probleme edhe në herën e parë që kishte udhëtuar gjatë kësaj jave drejt Gjibraltarit.