Tetë gra nderohen nga presidentja Osmani me urdhrin ‘Shotë Galica’

20 maj 2021 | 14:35

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Fahrije Hoti së bashku me dy gra të Krushës, për t’ua ndarë medaljet me të cilat i ka dekoruar më 8 mars të këtij viti, me Urdhrin “Shotë Galica”.

Fahrije Hoti dhe 7 gra të tjera janë dekoruar nga Osmani për kontributin e dhënë në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

“Sa herë që kam rastin e nderin e veçantë të flas me këto gra, aq më shumë shtohet nevoja për të insistuar për drejtësi. Drejtësi për fëmijët e tyre të cilët iu vranë para syve; drejtësi për bashkëshortët e tyre; drejtësi për të gjithë ata që u zhdukën me dhunë drejtësi për secilën familje që ende nuk gjen paqe e qetësi që nga lufta e vitit 1999”, ka  shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Osmanit:

Më 8 mars të këtij viti, kam dekoruar me Urdhrin “Shotë Galica” znj. Fahrije Hoti dhe 7 gra të cilat kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

Në pamundësi për të qenë prezente për të pranuar urdhrin atë ditë, e prita dje znj. Hoti së bashku me dy gra të Krushës në zyrën time. Në vitin 2005, “Gratë e veja” të Krushës me në krye znj. Fahrije, filluan iniciativën për konservimin e ushqimeve dimërore, e cila në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Historia e znj. Fahrije u përjetësua së fundmi dhe përmes filmit artistik “Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli, e cila në Festivalin Sundance të këtij viti shënoi sukses të jashtëzakonshëm me marrjen e 3 çmimeve.

Sa herë që kam rastin e nderin e veçantë të flas me këto gra, aq më shumë shtohet nevoja për të insistuar për drejtësi. Drejtësi për fëmijët e tyre të cilët iu vranë para syve; drejtësi për bashkëshortët e tyre; drejtësi për të gjithë ata që u zhdukën me dhunë drejtësi për secilën familje që ende nuk gjen paqe e qetësi që nga lufta e vitit 1999.

Znj. Fahrije dhe gratë e Krushës, por dhe shumë gra anembanë Kosovës, janë dëshmia më e mirë që e kemi se si vuajtja e dhimbja shndërrohen në forcë për të vepruar e motiv për të punuar për ringritje e për fuqizim të grave në Kosovë. Ju qëndroni fort në shtyllat e Republikës sonë, e ne do qëndrojmë fort për ju dhe pas jush deri në arritjen e drejtësisë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më pak se dy muaj nga marrja e presidencës së…