Tetë kandidatë për kadetë në Policinë e Kosovës përjashtohen pasi dolën pozitivë në testet për droga
Testimet e fundit të pretenduesve për kadetë në Policinë e Kosovës zbuluan se së paku 13 nga afro 1.000 të testuarit, rezultuan pozitivë për përdorimin e drogave.
Së paku tetë prej tyre u përjashtuan nga procesi i rekrutimit.
Në shqyrtimin e rasteve të tyre tashmë janë të përfshira edhe gjykatat.
Për çka u testuan policët?
Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, kandidatët për kadetë duhet t’u nënshtrohen disa kontrolleve, përfshirë testet për disa lloje të drogave, ato mjekësore, psikologjike e të tjera.
Testet për droga deri në fund të vitit të kaluar janë kryer në institucione private, por pas një marrëveshjeje mirëkuptimi mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, kanë kaluar në institucionet shtetërore.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa kandidatë të testuar aty, kanë dalë pozitivë në testet për amfetaminë dhe disa lloje të tjera të substancave narkotike.
“Në grupin e parë prej 426 personash, në muajin janar, tetë kanë rezultuar pozitivë, kurse sa i takon grupit në muajin mars, prej 519 personash, pozitivë kanë rezultuar pesë”, thotë Veseli.
“Duhet përmendur se në grupin e parë kanë dalë kryesisht pozitivë në amfetaminë, ndërsa në grupin e dytë ka qenë një laramani substancash”, shton ai.
Në Policinë e Kosovës thonë se për tetë kandidatët e parë që kanë dalë pozitivë në substanca narkotike, është marrë tashmë vendimi për përjashtimin e tyre nga procesi i rekrutimit.
Për pesë të tjerët pritet të merret vendimi i njëjtë.
“Kandidatët që nuk i plotësojnë standardet e kërkuara në një nga fushat ku kryhen kontrollet mjekësore/psikologjike, nuk mund t’i vazhdojnë më tej procedurat për t’u bërë kadetë të Policisë së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni.
Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes nëse në të kaluarën, kur testet janë kryer në institucione private, ka pasur raste pozitive për përdorim drogash.
Padi në gjykata
Radio Evropa e Lirë mori vesh se së paku dy prej kandidatëve për kadetë, të cilët u përjashtuan nga procesi i rekrutimit, kanë ngrituar tashmë padi në gjykata kundër Policisë së Kosovës.
Për njërin prej rasteve, Gjykata Themelore në Prizren konfirmoi se ka marrë një aktvendim procedural, duke kërkuar nga Klinika e Biokimisë në QKUK që të bëjë ekspertiza të hollësishme, që do të konfirmonin nëse personi në fjalë është përdorues i substancave narkotike.
Në sqarim, gjykata tha se është kërkuar që të saktësohet se cilës periudhë kohore i referohet rezultati – nëse ai pasqyron vetëm gjendjen aktuale apo edhe një periudhë më të gjatë kohore.
“Propozuesi [paditësi] e ka për obligim që institucionit të lartcekur [Klinikës së Biokimisë] t’ia lejojë kryerjen e kësaj ekspertize, apo të paraqitet në institucionin e lartcekur pas thirrjes nga ana e tij”, thuhet në deklaratën që Gjykata Themelore në Prizrent.
Aty, po ashtu, theksohet se pas pranimit të raportit të ekspertizës, gjykata do të vazhdojë me trajtimin e rastit.
REL-i kontaktoi edhe avokatin e paditësit, por ai tha se nuk i lejohet të flasë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në anën tjetër, nuk u përgjigj për të komentuar padinë e ngritur në këtë institucion.
Ngjashëm, as Policia e Kosovës nuk i komentoi paditë kundër saj.
“Testet janë të sigurta”
Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, thotë se testimet në QKUK zvogëlojnë rrezikun që policët e ardhshëm të jenë përdorues të substancave abuzuese.
Për testet e kryera në Biokimi, ai thotë se nuk ka asnjë dyshim.
“Nuk duhet të ketë hezitim [për pranimin e rezultatit], sepse testet janë të sigurta dhe nuk ka njëanshmëri. Ne i bëjmë testet dhe nuk i shohim emrat, nuk i njohim kandidatët… Gjykata e ka ngritur këtë çështje dhe ne do të përgjigjemi”, thotë Veseli, por pa dhënë më shumë hollësi.
Specialisti i toksikologjisë, Nardi Sheqerxhiu, thotë se testet që përdoren në QKUK për identifikimin e substancave narkotike ose abuzuese, janë të shpejta ose rapide dhe realizohen përmes urinës.
“Amfetamina detektohet në urinë deri në 48 orë pas përdorimit të fundit. Pas 48 orëve, testi i amfetaminës në urinë mund të rezultojë negativ, ngase substancat e konsumuara vazhdimisht eliminohen me urinë”, thotë Sheqerxhiu.
Kjo nënkupton se nëse një kandidat për kadet policor, që ka rezultuar pozitiv për amfetaminë, mund të rezultojë negativ nëse ritestohet.
Sheqerxhiu thotë se ekzistojnë disa teste që mund të kryhen përmes flokëve, të cilat japin rezultate për një periudhë më të gjatë pas përdorimit të fundit të substancave abuzuese, porse ato, sipas tij, nuk kryhen në Kosovë.
E formuar gati 25 vjet më parë, Policia e Kosovës ka mision “të ofrojë zbatimin e ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase”.
Ajo numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Pagat e tyre nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Policët e Kosovës nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.