Tetë persona humbën jetën këtë vit në vendin e punës
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikqi, ka deklaruar se në krahasim me vitin e kaluar ka rënie të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, kjo për shkak të punës që ka realizuar ky institucion gjatë vitit.
Në këtë kontekst, ai ka bërë me dije se sivjet tetë persona kanë humbur jetën në vendet e punës. Megjithatë, ai ka thënë se sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve, pavarësisht se ky numër është dyfishuar këtë vit.
Nikqi në një intervistë për “KosovaPress” se kanë rritur edhe numrin e inspektimeve dhe atë të gjobave me qëllimin e vetëdijesimit të subjekteve me të drejtat e punëtorëve.
Ai ka theksuar se këtë vit numri i vdekjeve ka shënuar rënie, nga 15 në 8.
Më tutje, Nikqi ka thënë se sektori më problematik që nuk respekton mjaftueshëm të drejtat e punëtorëve mbetet i ai ndërtimtarisë, derisa ka shtuar se janë duke punuar në këtë drejtim.
Mes tjerash, ai është zotuar se nga viti i ardhshëm do të rrisin edhe më shumë numrin e inspektorëve të punës.
Rritja e numrit të inspektimeve dhe e gjobave, Nikqi ka thënë se kanë ndikuar që kompanitë të respektojnë të drejtat e punëtorëve, porse thekson se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.