Tetë skuadra në garë për trofeun, ja çfarë surprizash solli raundi i të 16-ave
Kampionati Evropian “Euro 2024” ka hyrë në fazën e tij më të nxehtë e padyshim më interesante. Kemi njohur tetë skuadrat më të mira të kontinentit, që do të luftojnë deri në fund me njëra-tjetrën për të shkuar në finalen e madhe të Berlinit, më 14 Korrik.
Po cilat ishin surprizat, çfarë të rejash solli faza e 1/8 si dhe cilët janë aktualisht kandidatët për të ngritur trofeun? Faza e 1/8 të finaleve të “Euro 2024”, nuk solli ndonjë surprizë, përveç eliminimit të Italisë nga Zvicra. Një eliminim që mund të konsiderohej edhe i pritur, për atë se çfarë kishin dhënë “azzurrët” deri në atë fazë. Një ekip që edhe ndaj Zvicrës luajti shumë keq duke e merituar eliminimin. Pjesa tjetër shkoi e gjitha sipas parashikimit, me kombëtaret e mëdha, që ia dolën të siguronin një biletë për në fazën çerekfinale. Kështu Gjermania, Spanja, Anglia, Portugalia dhe Holanda u kualifikuan, megjithatë jo të gjitha këto skuadra lanë “shije” pozitive me lojën e zhvilluar.
Kështu Spanja, Gjermania dhe Holanda ishin skuadrat që bindën më shumë në lojë, por shumë specialistë të futbollit janë të mendimit se kundërshtarët që kishin përballë në këtë fazë nuk ishin në lartësinë e duhur. Ndaj është momenti që këto skuadra të konfirmojnë forcën e tyre në çerekfinale, ku sigurisht Spanja dhe Gjermania do duhet të “përplasin” brirët me njëra tjetrën. Anglia dhe Portugalia ishin ekipet që vuajtën më shumë. Të dyja skuadrave nuk u mjaftoi koha e rregullt për të siguruar kualifikimin, me anglezët që fituan në kohën shtesë, ndërsa portugezët iu falën “ruletës ruse” të penalltive. Meritë e kundërshtarëve të tyre Sllovakisë dhe Sllovenisë, apo dobësia e këtyre kombëtareve, të cilat janë edhe pretendente për të shkuar deri në fund në këtë evropian? Faza çerekfinale mund të na jap përgjigje.
Në fund, por jo për nga rëndësia Turqia, një skuadër luftarake, me grintë, e cila jep gjithçka në fushën e lojës. “Viktima” e radhës e tyre ishte Austria, një prej skuadrave më simpatike deri tani në evropian, gjë e cila rrit ndjeshëm edhe kuotat për vazhdimësinë te kjo skuadër. Gjithsesi diçka është e sigurt, të tetë skuadrat që kanë mbërritur deri në këtë fazë e kanë merituar plotësisht dhe janë të denja për të na dhuruar një fund kampionati të bukur dhe të paparashikueshëm.