Tetë të vdekur nga sulmi rus me raketa në qendrën e Kramatorskut të Ukrainës
Tetë persona janë vrarë, duke përfshirë tre fëmijë, nga një sulm me raketa ruse që goditën qendrën e Kramatorskut në Ukrainën lindore.
Një restorant dhe një zonë tregtare u goditën në sulmin e së martës në qytet, që është nën kontrollin e Ukrainës, por afër pjesëve të okupuara nga Rusia, transmeton Telegrafi.
Si rrjedhojë, ekipet e shpëtimit janë mobilizuar për të filluar kërkimin e njerëzve në rrënoja.
Të paktën 56 persona të tjerë pësuan lëndime nga sulmi, sipas shërbimeve emergjente të Ukrainës.
Një dëshmitar okular i tha BBC-s se pa “njerëz të vdekur, njerëz që bërtisnin, njerëz që qanin, kaos të madh”.
Një vajzë 17-vjeçare u raportua se ishte në mesin e atyre që u vranë në sulmi, i cili ndodhi rreth orës 19:30 me orë lokale.
Në epiqendrën e shpërthimit kishte edhe ndërtesa banimi, thanë zyrtarët.