Tetë vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi
Janë bërë tetë vite nga arritja e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 19 prill 2013 në Bruksel.
Në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës për tetë vjetorin e kësaj marrëveshje, është thënë se deri me tani janë zbatuar shtatë pika të kësaj marrëveshje, dy pika janë zbatuar pjesërisht dhe gjashtë të tjera nuk janë zbatuar. “Nga Marrëveshja e 19 prillit kanë derivuar edhe një sërë marrëveshjesh tjera të dialogut për çështje si mbledhja e të hyrave doganore, energjia, telekomi, drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile dhe asociacioni. Kjo e fundit është edhe çështja kryesore e Marrëveshjes së 19 prillit, e cila ende mbetet e pazbatuar. Që nga arritja e marrëveshjes specifike për këtë temë në gusht të vitit 2015 dhe aktgjykimit të Gjakatës Kushtetuese, qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e kësaj marrëveshje”, është thënë në përfundimin e raportit.
Sipas raportit, ish-qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte krijuar Ekipin Menaxhues në vitin 2016, i cili kishte për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit. “Pasi statuti nuk ishte përfunduar gjatë asaj periudhe, qeveria pasardhëse e udhëhequr nga Ramush Haradinaj sërish kishte aktivizuar këtë ekip. Njoftimet zyrtare të kësaj qeverie kanë qenë se Ekipi nuk ka dorëzuar statutin në Qeveri dhe se nuk dihet nëse i njëjti i është dorëzuar Brukselit. Çështja e Asociacionit është riaktualizuar si temë edhe gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. Pas takimeve të mbajtura në Bruksel në kuadër të diskutimeve mbi elementet e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, pala serbe kishte kërkuar që çështja e Asociacionit të diskutohej, ndërsa pala kosovare nuk kishte pranuar një gjë të tillë”, është thënë në raportit.
Kurse, Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit të dialogut, kishte kërkuar që Kosova të gjejë modalitete për themelimin e Asociacionit duke mos e qartësuar se çfarë do të thotë saktësisht kjo.
Me rënien e Qeverisë Hoti në fund të vitit 2020 mbeti e paqartë se si do të procedohej tutje me këtë çështje.
Ndërsa, pas zgjedhjeve të reja qeveria e re tani udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. “Ky i fundit nuk e ka bërë të qartë se cila do të jetë qasja e Qeverisë ndaj dialogut në përgjithësi, përveç se ka deklaruar se do të jetë një qasje ndryshe ndaj këtij procesi dhe se dialogu nuk është prioritet i qytetarëve. Ajo që është e qartë është që tema e dialogut do të jetë sfidë edhe për Qeverinë e re, e cila duhet që sa më parë të artikulojë një qëndrim të qartë ndaj temave të dialogut dhe marrëveshjeve tashmë të arritura, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e 19 prillit, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, është thënë në raport.