Tetë zyrtarë të ZKA-së infektohen me Covid-19, izolohen 30 të tjerë
Tetë punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, ndërsa 30 të tjerë janë vetizoluar.
ZKA-ja ka njoftuar se të infektuarit janë duke u trajtuar në shtëpi dhe se gjendja e tyre është e mirë.
“Pavarësisht masave të marra dhe kujdesit të shtuar, 8 punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë rezultuar pozitivë me virusin Covid-19, ndërsa 30 të tjerë gjenden në vetizolim. Të gjitha këto raste janë duke u trajtuar në shtëpi me kujdesin dhe udhëzimet e mjekëve dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Po ashtu, grupet e rrezikuara siç janë personat mbi 60 vjeç, shtatzënat dhe kronikët po punojnë nga distanca”, ka njoftuar ZKA-ja, raporton “Epoka e re”.
Njoftimi i plotë i ZKA-së:
Pavarësisht masave të ndërmarra dhe kujdesit të shtuar, tetë punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19, ndërsa 30 të tjerë gjenden në vet-izolim. Të gjitha këto raste janë duke u trajtuar në shtëpi me kujdesin dhe udhëzimet e mjekëve dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Po ashtu, grupet e rrezikuara siç janë personat mbi 60 vjeç, shtatzënat dhe kronikët po punojnë nga distanca.
Të gjitha ekipet e auditimit që për shkak të natyrës së punës audituese kanë qenë të detyruara të kryejnë edhe punë në terren, në vazhdimësi janë monitoruar për gjendjen shëndetësore dhe kanë raportuar në baza ditore kontaktet e mundshme me raste të testuara pozitiv me Covid-19.
Përkundër që i kemi dhënë përparësi ruajtjes së shëndetit të stafit është arritur që të përfundohen dhe publikohen në uebfaqe më shumë se 60 raporte të auditimit dhe jemi në fazën finale të përfundimit të raporteve tjera të parapara me planin vjetor të punës.
Janë marrë me kohë të gjitha masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse shëndetësore dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19.
ZKA-ja shpreh mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e krerëve dhe zyrtarëve nëpër institucionet e audituara që kanë punuar bashkë me ekipet në këto kushte të vështirësuara të punës si pasojë e pandemisë. Në mënyrë të veçantë falënderojmë personelin nga Instituti dhe Klinika Infektive që vazhdimisht kanë dhënë udhëzimet specifike dhe ndihmën për shëndetin e personelit tanë.
Në këtë rast bëjmë thirrje për respektimin e masave të vendosura në mënyrë që të ruajmë vetën, familjen dhe shtetin. (L.G/ Epoka e re)