Tetovarët solidarizohen me viktimat e tërmetit në Shqipëri
Disa aktivistë të organizatave joqeveritare ndezën qirinjë në qendër të Tetovës, kjo për t’i nderuar të gjithë ato të cilët humbën jetën si pasojë e tërmeteve me pasoja tragjike të cilat ndodhën në Shqipëri.Me qirinjë të ndezura, u improvizua data 26 nëntor nën moton “Të mos përsëritet”.
Që të realizojnë idenë që erdhi në konsultime me profesorin Arsim Sinani, për t’u solidarizuar me popullin shqiptar pas tërmetit që mori disa jetë njerëzish, disa aktivistë nga organizata joqeveritare të ndryshme, u mblodhën në sheshin e Tetovës, për të shprehur dhimbjen duke ndezur qiri me të cilat u improvizua data e ditës së tragjedisë, duke përçuar mesazh që kjo ditë të mos përsëritet.
“Duke u solidarizuar me familjarët e viktimave të tragjedisë së fundit në Shqipëri dhe për nderim të ditës së Flamurit, si dhe duke përcjellë me dhimbje gjendjen në Shqipëri, disa aktivistë nga OJQ të ndryshme, si dhe qytetarë të rastit nga Tetova përkrahëm moralisht dhe ndamë dhimbjen me banorët e Durrësit, Thumanës dhe mbarë Shqipërisë. Me këtë rast u ndezën qirinj në shenjë respekti dhe kujtimi për viktimat” tha organizatori, Naim Iljazi.
Përveç kësaj, aktualisht në disa lokacione të Tetovës po bëhet grumbullimi i mjeteve financiare për të mbijetuarit e kësaj tragjedie.