Teuta Abdullahu: Basketbolli është jeta ime
Një nga basketbollistet e Gjeneratës së Artë të Universitetit të Prishtinës është Teuta Abdullahu. Ajo ka dhënë kontribut në basketbollin e femrave në Kosovë. Teuta në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së ka treguar si filloi të merret me basketboll, cila është ndeshja që nuk e harron, trofeun më të veçantë, kundërshtaren më të vështirë dhe mesazhin për vashat e reja që duan të merren me basketboll.
Si vendose të luaje basketboll?
Që në fëmijëri kam shprehur interesim për sportin në përgjithësi, por karrierën sportive e fillova në tenis. Shumicën e kohës e kaloja në fushat e tenisit pranë shkollës “Ismail Qemaili”, mirëpo edhe basketbolli ishte pjesë e imja gjatë kësaj kohe, pasi në çdo kohë të lirë isha duke luajtur basketboll te lagjja ime. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999 ishte Qemail Leti, shoku i babait, në atë kohë udhëheqës i KB Universitetit, i cili një natë më pyeti nëse kisha dëshirë t’i bashkohem KB Universitetit që ta provoja veten. Në atë moment filloi karriera ime basketbollistike, por që vitin e parë luaja të dy sportet, tenisin dhe basketbollin, derisa e gjeta veten që po ndihem më mirë me basketboll dhe me skuadrën që më kishin pritur tej mase mirë, për të cilën dua t’i falënderohem pos anëtarëve të kryesisë dhe trajnerit Blerim Krasniqi, vajzave Albulena Bylykbashi, Elvira Dushku, Doruntina Vuniqi, Vlora Krasniqi dhe Vlora Braha, të cilat me konsideronin si motrën e vogël.
Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?
Idhulli im në atë kohë ishte Micheal Jordan në basketboll dhe Monika Seles në tenis.
Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?
Trofeu më i rëndësishëm për mua personalisht ishte Kupa e Kosovës në vitin 2005, në të cilën ndeshje e kemi fituar me rezultat shumë të ngushtë. Ky ishte trofeu im i parë si kapitene e skuadrës, prandaj ky sukses ka rëndësinë e veçantë për mua.
Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?
Gjatë karrierës sime ka shumë ndeshje që nuk mundem t’i harroj asnjëherë, por përveç ndeshjes kur fituam trofeun që e përmenda, e kisha veçuar ndeshjen nga pjesëmarrja në Trocal League, ndaj Lek Jezica, ku në këtë ndeshje kisha minutazhën më të lartë gjatë tërë sezonit dhe njëherësh kisha arritur që në prani të publikut kosovar të tregoja lojë të mirë.
Cila ka qenë kundërshtarja më e vështirë që je ballafaquar?
Në Trocal League kishim kundërshtarë të fortë në përgjithësi për të cilën nuk kisha veçuar ndonjë specifik, sepse vet liga kishte konkurrencë të nivelit të lartë, ndërsa në Ligën e Kosovës kundërshtarin më të fortë e kemi pasur KB Bashkimi nga Prizreni. Ballafaqimet me vajzat e KB Bashkimit kanë qenë çdo herë me emocione dhe kujtime, të cilat ende më përcjellin sa herë shkoj për ta vizituar qytetin e Prizrenit.
Sa të mungon basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?
Unë jam rritur me basketboll dhe palestra është vendi ku unë ndihem krejtësisht vetvetja dhe ku mbushem me energji. Më mungon shumë koha kur basketbollin e kisha prioritet të jetës, mirëpo me kalimin e kohës prioritetet në jetë po ndryshojnë. Tani kam vajzën Hanën, e cila plotëson çdo gjë për mua, por asnjëherë nuk jam larguar tërësisht nga basketbolli, e gjej çdo hapësirë të mundshme dhe sado pak kohë për basketboll.
Cili është mesazhi për lojtaret e reja që duan të merren me basketboll?
Për të gjitha vashat e reja të cilat duan të merren me basketboll, tani kanë shumë më tepër mundësi për tu prezantuar dhe treguar veten ndërkombëtarisht, prandaj le ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të luajtur dhe shkolluar. Basketbolli kërkon përkushtim dhe disiplinë gjë që të përgatit për sfidat e ndryshme që të presin gjatë jetës dhe periudha të ndryshme.