Teuta fiton derbin shqiptar ndaj Kamzës
13 nëntor 2021
| 22:27
Teuta e Durrësit ka shënuar fitore ndaj Kamza Basket me rezultat 102:111 (27:30, 28:20, 21:34, 26:27), në xhiron e katërt të Ligës Unike.
Fillimi i ndeshjes ishte interesant, dhe më pas durrësakët krijuan epërsi 9:15 dhe ishin në epërsi të lehtë në çerekun e parë që përfundon 27:30. Vendasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, ku gjatë gjithë kohës ishin në epërsi, ndërsa më e larta ishte 11 pikë, 55:44, por gjashtë pikë radhazi nga Teuta bënë që pjesa e parë të përfundojë 55:50.
Pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, më mirë e nisën mysafirët, që shkrinë epërsinë e Kamzës dhe e kthyen atë në të mirë të tyre, 74:83, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 76:84. Përkundër tentimeve nga vendasit, Teuta ruajti epërsinë dhe triumfoi me rezultat 102:111.
Te Kamza Basket u dalluan Gerald Davis me 37 pikë e dhjetë kërcime dhe Abrian Edwards me 24 pikë, kurse te Teuta u dalluan Tamas Bruce me 33 pikë e 14 kërcime dhe Frenki Lilaj me 19 pikë e nëntë kërcime.
Kamza Basket ka dy fitore dhe dy humbje, ndërsa Teuta e Durrësit ka tri fitore dhe një humbje.