Teuta heq dorë nga Liga Unike

06 prill 2021 | 16:51

Liga Unike e basketbollit është tronditur ende pa filluar. Një ditë para startit të eventit të përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, Teuta vendosi për mospjesëmarrjen në këtë aktivitet.

Skuadra durrsake nuk është pajtuar aspak me mënyrën e zhvillimit të këtij eventi, duke akuzuar organizatorët për vendime arbitrare të pakonsultuara me ekipet. Drejtuesit durrsakë ngrenë gjithashtu dyshime edhe për sa i përket shortit të Ligës Unike si dhe nuk pajtohen me vendin e zhvillimit të fazës “Final 4”. Me anë të një letre të presidentit Arqile Gorea, Teuta njofton zyrtarisht mospjesëmarrjen në edicionin e parë të Ligës Unike. Kështu, liga mbarëkombëtare humbet një prej skuadrave më të mira të Shqipërisë në vitet e fundit, teksa Superliga tashmë do të prezantohet vetëm me 3 ekipe (Goga, Vllaznia dhe Tirana).

“PËR DIJENI: Ligës Unike, FSHB-së, FBK-së, Të nderuar, Ditën e premte, më datë 2 prill, në orën 11:30, morëm lajmin rrufe për hedhjen e shortit të Ligës Unike që, sipas njoftimit zyrtar të ardhur po në të njëjtën ditë, do të hidhej në orën 14:00 dhe kompeticioni do të zhvillohej më 6 dhe 7 prill. Na çudit ky nxitim për zhvillimin e kësaj lige, në një kohë kur kampionatet respektive kanë hyrë në fazën kulmore dhe të gjitha ekipet janë të fokusuara në objektivat e tyre sezonalë, në të cilët Liga Unike nuk ishte e përfshirë. Menduam se eksperiencat pozitive të FBK-së, korrektesa dhe legjislacioni i zhvillimit të kampionateve të basketbollit të Kosovës, si dhe vendosja në krye të kësaj lige e z. Ilir Trebicka, si basketbollist dhe menaxher me përvojë, menduam se do të sjellin zhvillime pozitive në atmosferën e basketbollit shqiptar. Në kuadrin e kësaj situate, Teuta Basket ka mbledhur stafin drejtues dhe nga debatet e zhvilluara në frymë konstruktive konstatojmë se në kuadrin e këtyre befasive jemi të pamundur për t’i ekonomizuar potencialet e ekipit në favor të eventeve shqiptare të basketbollit, të cilat, përpos lëngatës pandemike, duhet të përballojnë edhe situata të tilla që nuk po e kuptojmë ku e kanë burimin. Të nderuar drejtues, një sjellje e tillë me vendime arbitrare të pakonsultuara më parë me ekipet pjesëmarrëse vënë në dyshim seriozisht edhe zhvillimin e eventeve të basketbollit shqiptar, i cili, me sa duket, të gjitha mangësitë e veta për të cilat Avni Ponari i pranoi si gabime dhe u angazhua t’i korrigjojë, po eksportohen dhe te basketbolli kosovar që ka pranuar jashtë traditës të vet të bëhen njoftime urgjente, të hidhen shorte që për hir të së vërtetës janë të dyshimta si dhe gjysmëfinalet dhe finalet e një aktiviteti mbarëkombëtar mos të zhvillohen në pallatin e sportit ‘Feti Borova’. Nisur nga këto arsyetime dhe situata e krijuar, shoqata ‘Teuta Basket’ nuk e konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike. Shpresojmë që kjo përgjigje të shërbejë si një reflektim për zyrtarët e ligës dhe FShB-së që të jenë më seriozë në organizimin e të tilla eventeve. Është detyrë e këtyre institucioneve për ta respektuar kontributin e ekipeve pjesëmarrëse si dhe të mos marrin vendime pa u konsultuar me të gjithë aktorët që janë promotorë të zhvillimit të basketbollit në Shqipëri e Kosovë”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Teutës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e…