Teuta Sahatqija emërohet zëvendësministre e Punëve të Jashtme
Shefja e misionit konsullor të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ka bërë me dije se është emëruar nga kryeministri Avdullah Hoti në pozitën e zëvendësministres se Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Me këtë rast, Sahatqija ka falënderuar Hotin për besimin e dhënë. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me ministren Meliza haradinaj-Stubulla.
“Mirëpres një bashkëpunim të ngushtë me ministren Meliza Haradinaj-Stublla në avancimin e agjendës së politikës së jashtme. Gëzohem që në cilësinë e re do të bashkëpunojë me diplomatët e MPJD e që vazhdon në mënyrë cilësore gjatë viteve”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i saj:
Të dashur miq,
Falënderoj kryeministrin Hoti për besimin dhe emërimin zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Mirëpres një bashkëpunim të ngushtë me ministren Meliza Haradinaj-Stublla në avancimin e agjendës së politikës së jashtme. Gëzohem që në cilësinë e re do të bashkëpunojë me diplomatët e MPJD e që vazhdon në mënyrë cilësore gjatë viteve.
Do të jetë nderë për mua t’i shërbej Kosovës në këtë resor aq të rëndësishëm në këtë kohë sfiduese. Përvoja ime e mbledhur për shumë vite në kapacitete të ndryshme e sidomos vitet e shërbimit në New York do të ngrisin vlerën e kontributit tim në këtë pozitë.
Gjatë 4 viteve si shefe e misionit të RKS në New York kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me ambasadorët e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me diplomatë e konsuj të përgjithshëm të akredituar në UN e New York.
Bashkëpunimi me diasporën shqiptare në New York e ShBA nuk ishte vetëm detyrë, por një krenari e kënaqësi e posaçme.
Njoha njerëz të mrekullueshëm që e duan me shpirt vendin e që nuk kanë kursyer asgjë për të ndihmuar në të kaluarën dhe vazhdojnë të ndihmojnë trevat tona. Ata më bënë të ndihem në shtëpi larg shtëpisë, për të cilën gjë u jam përjetësisht falënderuese.
Gjatë këtyre viteve prita shumë delegacione, nënshkrova marrëdhënie diplomatike, solla biznese amerikane në Kosovë dhe organizova vizita të bizneseve kosovare në Amerikë.
Përkraha shumë artistë nga Kosova, Shqipëria e Amerika, organizuam ekspozita të shumta të fotografëve e piktorëve në zyrat e Konsullatës. Mbajta konferenca e ligjërata në universitete prestigjioze dhe organizata me renome ku fola për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, për rolin e gruas në shtetndërtimin e Kosovës, për fuqinë e butë të shteteve të vogla. Përkrahëm dhe promovuam shumë biznese të IT, ato prodhuese, gastronominë e shumë të tjera.
Kisha një koordinim të jashtëzakonshëm me Vlora Çitakun, Ambasadoren ekzemplare të Kosovës në ShBA, bashkëpunim me ambasadorët tanë që mbulojnë Amerikën Jugore, Afrikën, me ata në Bruksel, Japoni e kudo tjetër ku parandaluam çnjohje dhe punuam fuqishëm për njohje e anëtarësim në organizata. Arritëm suksese së bashku por edhe u ballafaquam me sfida e zhgënjime gjatë rrugës.
Gjatë këtyre 4 viteve u fol për sportistët e rininë e mrekullueshme që ka Kosova. U fol për turizmin, patate e mjedrat tona, vera e Rahovecit u paraqitë e u promovua në tavolinën e Këshillit të Sigurimit.
Më shumë mund e koordinim së bashku me Nikki Haley, ambasadoren e ShBA-së dhe Karen Pierce të Britanisë, me ambasadorët e BE-së pranë Kombeve të Bashkuara, arritëm ta ulim frekuencën e raportimeve për Kosovën në Këshill të Sigurimit.
Mora pjesë në konferencat e shumta në hapësirat e KB të cilat ndonjëherë u përcollën me nota proteste nga Rusia e Serbia.
E gjithë kjo punë nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunim me MPJ dhe posaçërisht me ekipin tim të mrekullueshëm të diplomatëve dhe të stafit në New York për të cilën gjë u jam shumë mirënjohëse.
E përfundoj krenare misionin tim në New York dhe me shumë vullnet po filloj një etapë të re gjithmonë në shërbim të Kosovës.
Na priftë e mbara!
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=3375819359097522&set=pcb.3375816062431185&type=3&theater