Tezak, ende zemrat i kemi të çara
Sokol Bashota
Sa hap dhe mbyll sytë, dy vjet pa praninë fizike të Blerimit. Më shumë se për ne, këto ishin ditët më të rënda dhe të vështira për familjen e tij, për të cilin ai kishte përkujdesje dhe dashuri të madhe në çdo kohë dhe në çdo vend, veçanërisht për Afërditën e cila dhembjen dhe mungesën e tij vazhdon ta shfaqë vazhdimisht edhe në rrjete sociale.
Përpos për të, ishin ditë mundimi, dhembje, kujtimi edhe për ne të tjerët, teksa shohin datën 9 dhjetor në kalendarin e celularëve ose të atyre të varur në mur, u shkon ndërmend lajmi i hidhur që patën marrë dikush nga mediat, dikush tjetër nga shoqëria, nëpërmjet mesazheve dhe mediumeve të ndryshme, dy vjet më parë për vdekjen e parakohshme të tij, në fundvjeshtën e 2017-s, e cila pikëlloi pothuaj gjithë Kosovën, gjithë teleshikuesit e emisioneve të tij.
Blerimi jetoi shkurt, vetëm 44 vjet, por puna e tij e madhe zë vend, ashtu sikurse librat e mirë në mendjen dhe gojën e njerëzve, në kujtimet tona, në ekranet e televizorëve tanë, në televizionet tona, për të cilët ka punuar emisione argëtuese, kryesisht të llojit të komedisë, si: “ShowMeselation”, krejt vonë emisionin javor “Vikendi” në Radio Televizionin e Kosovës, me të cilin udhëtonte nëpër kohë dhe, duke dashur të na kujtojë të kaluarën e familjarëve tanë dhe të popullit tanë, nëpërmjet artit të kinematografisë, bashkë me “bashkëshorten”, aktoren Xhejlane Tërbunja në këtë rol, tallte dhe godiste fenomene negative të ndryshme të shoqërisë sonë.
Vargmal kritika u ka dhënë miqve më të mirë të vet, kryetarëve të komunave, udhëheqësve të institucioneve lokale dhe qendrore, të cilët, nëpërmjet humorit, ironisë dhe satirës, ua ka përqeshur punët. Një emision të tillë, prezantues dhe kritikues, ka realizuar edhe me mua në Klinë sa isha kryetar komune. Por, humori i tij ishte i natyrshëm dhe kreativ.
Blerimi nuk ishte prej atyre aktorëve që punonte rrallë për shkak të mungesës së ideve. Blerimi ishte fabrikë e ideve. Fabrikë e humorit. Njeri i këndshëm, i sinqertë, humanitar, i dashur. Ishte e pamundur që, edhe po të rrije vetëm tre minuta me të, mos ta bëje shok, mos të jepeshe pas tij që të ofronte dashuri të madhe. Kjo fabrikë e artit sot na mungon shumë. Nuk ka dhe një tjetër si ai që dinte të na argëtonte, që ditët e këqija që kishim ndonjë ditë, të na i bënte të mira. A nuk e keni vërejtur mungesën e “Vikendit” në fundjavë? A nuk e keni vërejtur mungesën e udhëtimit të tij ndër vite? A nuk e keni vërejtur mungesën e gjuhës dhe të mimikës së tij? Sigurisht i keni vërejtur se nuk na shfaqët më, as në ditë fundjavësh, as në ditë punësh, Blerimi. As nuk i telefonoj, po as nuk më telefonon më që ta shkarkoj energjinë negative që ta krijojnë situatat e ndryshme në Kosovë.
Blerimi ynë i dashur ka bërë punë të madhe për mendjen, syrin dhe shëndetin tonë, po edhe ne që dy vjet i kemi dëshmuar se e kemi dashur shumë pasi gjatë kësaj kohe e kemi kujtuar vazhdimisht qoftë nëpërmjet shkrimit me përkushtim të këngëve për të dhe të poezive, qoftë me emisione televizive, si ai punuar me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij të parakohshme, për jetën dhe punën e tij.
Dua ta mbyll këtë fjalë këtu, duke parë dhe ndjerë atë që shoh se na mungon:
Beli nuk harrohet kurrë. Ai do të kujtohet gjithmonë.
Lavdi jetës dhe punës së tij!