Tezakja e Vjosa Osmanit drejtoreshë e Pagesave Direkte në AZHB, ky është dokumenti i emërimit
Gazeta Lajmi.net raportoi sot më herët ekskluzivitetin se Venera Çerkini, vajza e tezës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani është caktuar si drejtoreshë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë që funksionon në kuadër të ministrisë së udhëhequr nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Vjosa Osmanit, Faton Peci
Portali ka siguruar edhe marrëveshjen për transferimin e përkohshëm të tezakes së Osmanit në AZHB nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Marrëveshja është lidhur mes Zv/Kryeshefit Ekzekutiv të AZHB-së, Ismajl Kastratit si dhe zv/sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Trim Berisha, shkruan lajmi.net.
Në dokumentin e nënshkruar nga të lartëpërmendurit thuhet se Çerkini në AZHB do të fillojë punën që nga data 4 gusht e këtij viti, deri në 4 shkurt të vitit 2022. E njëjta, do të jetë Drejtore e Drejtorisë për Pagesa Direkte në AZHB.
Kërkesa për transferimin e Çerkinit është bërë nga vet zv/kryeshefi Ekzekutiv i AZHB-së, Ismajl Kastrati.
Menjëherë pas kësaj kërkese, është përgjigjur zv/sekretari i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal ku më herët punonte Çerkini, Trim Berisha. Ky i fundit në përgjigjen e tij thotë t’i kenë zhvilluar konsultimet e nevojshme me Çerkinin, ku sipas konkludimit transferi i saj në Agjencinë që funksionon në ministrinë e Faton Pecit nuk do të ndikojë negativisht në karrierën e saj.
“Kërkesën në fjalë e kemi shqyrtuar dhe analizuar konform legjislacionit në fuqi, si dhe kemi realizuar edhe një konsultim me znj. Venera Çerkini. Kemi arritur në përfundim, se transferimi i përkohshëm i kërkuar nga ana juaj, marrë parasysh se bëhet fjalë për të njëjtën kategori, nuk ndikon negativisht në karrierën e znj. Çerkini dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të saj”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar lajmi.net.
Ministria Bujqësisë e udhëhequr nga Faton Peci i Listës Guxo ka konfirmuar për lajmi.net se Venera Çerkini është transferuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë si drejtoreshë aty, shkruan lajmi.net.
“Ju njoftojmë se bazuar në Ligjin Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, Neni 52 (transferimi i përkohshëm), për nevoja të institucionit, znj. Venera Çerkini është transferuar përkohësisht nga pozita e Drejtoreshës së Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në pozitën e nivelit të njëjtë si Drejtoreshë e Departamentit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë / Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për lajmi.net.
Sipas asaj që mëson lajmi.net, Çerkini është vajza e tezës së Vjosa Osmanit.
Para se Venera Çerkini në kalojë në këtë agjenci të MPBZhR-së, në këtë ministri ishte i angazhuar edhe burri i saj, Arton Çerkini. Gjithashtu, lajmi.net merr vesh se Arton Çerkini ishte shef i kabinetit të ministrit, Faton Peci.