“Tha se UÇK-ja ka kryer krime, shkarkohet” këshilltari i Kurtit
Ashtu siç raportuan dje për deklaratat e tij, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vrarë civilë serbë, mediat serbe kanë raportuar edhe sot për Shkëlzen Gashin pas shkarkimit të tij nga posti i këshilltarit prej kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Mediat në Beograd sot kanë cituar statusin në “Facebook” të Kurtit, ku ai tregon për shkarkimin e Gashit. “Tha se UÇK-ja ka kryer krime, shkarkohet”, është titulli i “B92”, njërit prej mediumeve më të mëdha në Serbi.
Për këtë zhvillim ka shkruar edhe gazeta tjetër serbe “Danas”, e cila, po ashtu, ka cituar fjalët e Kurtit në statusin e tij për shkarkimin e Gashit.
Gashi u shkarkua nga pozita e këshilltarit politik pas deklaratave të tij për UÇK-në, ku tha se pjesëtarë të saj kanë kryer krime lufte dhe se janë përgjegjës për zhdukjen e rreth 1 000 civilëve.
Një deklaratë e tillë ka shkaktuar debat të ashpër në opinion, përfshirë edhe nga vetë aktorë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kërkuan shkarkimin e Gashit.