Thaçi: 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s
Sot janë bërë 20 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund luftës ndërmjet UÇK-së dhe forcave ushtarake serbe.
Kjo bëri që të dorëzohet edhe ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimit i kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Sot 20 vjet më parë, në Kosovë erdhën trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe filloi edhe largimi i ushtrisë serbe.
Me këtë rast, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s.
“Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për ne. Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë. Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.