Thaçi: Adem Demaçi është babai i pavarësisë së Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe të varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, një ditë para se t’i mbush një vjet nga vdekja e tij.
Pas homazheve, Thaçi ka thënë se Demaçi do të nderohet dhe përkujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës.
“U mbush një vit pa simbolin e rezistencë kombëtare, Adem Demaçi, njeriu i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, njeriu i orientimit euroatlantik dhe mund të themi lirisht edhe themeluesi dhe babai i shtetit të pavarësisë së Kosovës. Vlera, kontributi dhe angazhimi i Adem Demaçit do të nderohet dhe do të kujtohet gjithmonë nga shteti i Kosovës, sikurse edhe sot. Në të njëjtën kohë do të jetë një vlerë e respektuar dhe e vlerësuar lartë nga i gjithë kombi shqiptar, sikurse që do të jetë i vlerësuar gjithmonë dhe në përjetësi nga bota demokratike”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi ka deklaruar se Adem Demaçi u shërben për marrjen e energjive të reja në konsolidimin e shtetit të Kosovës drejt perspektive euroatlantike dhe ruajtjes se raporteve të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Çdo nderim për Adem Demaçin është nderim për sakrificën e të gjithë atyre njerëzve që kanë rënë për lirinë e Kosovës, për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vuajtjet e kaluara në burgjet e kazamatet serbe, dhe në të njëjtën kohë është marrje e energjive të reja që të lëvizim edhe më shpejt në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit tonë në perspektiven të sigurt për në NATO, Bashkim Evropian dhe raporte të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA)”, ka deklaruar Thaçi.
/Epoka e re/