Thaçi: Afrimi dhe Fahriu ishin të përgatitur për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike
Me rastin e 30-vjetorit nga rënia heroike Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, dy veprimtarëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike.
“Më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav. Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.