Thaçi anulon pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës

06 korrik 2019 | 15:36

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që do të organizohet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai ka përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”,  ka shkruar se, përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim, transmeton Koha.net.

Sipas tij, Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke.

“Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina”, ka shkruar ai.

Sipas Thaçit, minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Ai thotë se, sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë sipas tij, përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë.

“Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, thotë ai.

Thaçi thotë se, Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që partitë opozitare të…