Thaçi: BE-ja ta përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin “Ballkani Perëndimor në mes të Shpresës dhe Realitetit”, të organizuar nga Friends of Europe.
Para fillimit të këtij samiti, presidenti Thaçi përmes një postimi në ‘Twitter’ ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nesër do të flas në Bruksel në organizimin e ‘Miqtë e Evropës’, i dedikuar për shpresat dhe realitetin e marrëdhënieve mes Ballkanit dhe BE-së. Kosova është e prirë të ecë përpara, por duhet të shohim përmbushjen e premtimeve siç është liberalizimi i vizave”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti Thaçi në këtë samit do të flasë për marrëdhëniet e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, si dhe për zbehjen e ndikimit evropian mbi rajonin tonë.
Po ashtu, presidenti Thaçi si pjesë e panelit do të flasë edhe për dialogun në Bruksel dhe për përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.