Thaçi: BE-ja nuk duhet t’i bëjë gabimet e liderëve të fillimviteve të ’90 (Video)
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar një komunikim të ri me opinionin publik, duke publikuar video në llogaritë e tij zyrtare në “Instagram” dhe “Facebook”, konkretisht në “InstaStory”.
Thaçi një video të cilën e ka publikuar të dielën ka shpalosur bisedat që janë zhvilluar javën e kaluar në takimin e ftuar nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi ka thënë se në këtë takim me liderët e Ballkanit Perëndimor janë shprehur të zhgënjyer për mosangazhimin e BE-së në raport me perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit.
Në këtë kontekst, Thaçi ka thënë se Kosova është e zhgënjyer me BE-në në raport me mosliberalizimin e vizave.
“Gjatë javës që lamë pas zhvilluam një darkë pune në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor me znj. Mogherini. Të gjithë shprehem përvojat e punës dhe eksperiencat e mira, por në të njëjtën kohë edhe ballafaqimet që i kemi pasur për të ardhmen evropiane të vendeve tona. Ishte konkludim i përbashkët i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe një zhgënjim masiv mund të themi për mos angazhimin konkret të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një zhgënjim ky që përcillet edhe në Kosovë në veçanti me jo liberalizimin e vizave për Kosovën kur ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kjo po ndodh për shkak të mungesës se unitetit të evropian, dhe jo që Kosova nuk i ka zbatuar të gjitha kriteret. Por, ne kemi vetëm një të ardhme, atë evropiane”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se BE-ja nuk guxon t’i përsërisë gabimet e liderëve të viteve të ’90, në kohën e krizës jugosllave.
“Prandaj, Bashkimi Evropian dhe liderët e saj, në këtë kohë të mungesës së vizionit të tyre duhet të dëshmojnë se nuk do t’i bëjnë gabimet e liderëve të fillimviteve të ’90 të BE-së, në kohën e fillimit të krizës jugosllave. Sepse, gjithmonë në Ballkanin Perëndimor ka potenciale të rrezikshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Ne duam të besojmë se BE-ja do të fillojë të ndryshojë pozitivisht për Kosovën dhe për tërë Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Thaçi.