Thaçi bën thirrje për konsensus të spektrit politik për dialogun me Serbinë
Presidenti Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë, pas një vizite që kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Thaçi në një konferencë për media, ka bërë me dije se ka pasur një takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, me të cilin siç ka thënë ka pasur një bisedë miqësore ku është diskutuar për gjetjen e mundësisë për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka thënë se pika e parë e marrëveshjes duhet të jetë njohja, raporton “Epoka e re”.
“Unë dua të besoj se vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësi e mirë, që garanton stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë në mes të dy vendeve tona si të pavarura dhe garanton mbi të gjitha të ardhmen evropiane të Kosovës në Serbi”, ka thënë ai.
Presidenti ka folur edhe për takimet që ka pasur këto ditë në Bruksel, Parisë dhe ShBA.
Ai ka bërë thirrje për konsensus të brendshëm në Kosovë për procesin e dialogut.
“Edhe në takimin që kam zhvilluar me Lajçak në Bruksel, po ashtu në Uashington me autoritetet e larta të ShBA-së në takime joformale, dhe gjithashtu në Paris, kam parë një koordinim më të mirë më të qartë të BE-së, ky është një mesazh i qartë i mirë dhe inkurajues edhe në Kosovë që të jemi sa më të bashkuar që të finalizohet ky proces me njohje reciproke. Kjo do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se e ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Presidenti ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Thaçi ka thënë se është duke ndodhur një padrejtësi nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës në këtë proces.
“Po ndodh një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës kur dihet se institucionet kanë zbatuar në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave”, është shprehur Thaçi.
(M.Q / Epoka e re)