Thaçi bën thirrje për ruajtjen e qetësisë në prag të përfundimit të dialogut
Presidenti i vendit, Hashin Thaçi ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë në prag të përfundimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi përmes një komunikate për media ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën për statutin e Asociacionit duke u bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Prandaj, si president i vendit u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, ka thënë ai.