Thaçi, Berishës: Kur unë e kam luftuar Millosheviqin, ti e ke ndihmuar atë
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se projekti për shkëmbimin e territoreve në mes të Prishtinës dhe Beogradit është një projekt i Serbisë.
Berisha e kishte sulmuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e pati quajtur edhe “argat” që mbron këtë projekt.
Presidenti Thaçi e kishte ftuar në debat televiziv, por Berisha e pati refuzuar, duke thënë se më përpara do të dilte në debat me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se sa me presidentin e Kosovës.
Dje në një intervistë në “Report Tv”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kur ai e luftonte regjimin e Millosheviqit, Berisha e ndihmonte atë.
“Nëse dikush ngre hipoteza dashakeqe dhe djallëzore, nuk do të pinë ujë as tek unë, as te qytetarët e Kosovës dhe në veçanti, ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviqin, kur unë e kam luftuar atë, nuk do t’u funksionojnë idetë pseudonacionaliste apo të deficiteve të tyre patriotike. Shefi im është populli i Kosovës, vullneti i popullit të Kosovës, gjaku i derdhur për liri. Jam i gatshëm të diskutoj me secilin, të ballafaqohem”.
“Kam bashkëpunuar shumë mirë si kryeministër, duke vrapuar bashkë me Berishën nëpër fshatrat më të thella të Dukagjinit, duke folur për bashkim kombëtar. Kemi pasur një bashkëpunim produktiv, për interesin e shtetit të Kosovës. Madje kam marrë pjesë edhe në fushatën elektorale të Berishës, në atë kohë kur ishte me Ramën, duke marrë pjesë në hapjen e tunelit në Kalimash. Edhe në takime të tjera”, ka thënë Thaçi