
Thaçi: Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Beteja e Koshares, 21 vjet më parë, ishte vetëm faza e parë e operacionit “Shigjeta”.
Thaçi ka theksuar se “Beteja e Koshares e lavdishme rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, duke bërë që për herë të parë të thyhej me forcë kufiri ndarës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ku ushtria serbe pësoi disfatë të madhe”.
“Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, se së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Ndërsa, thyerja e kufirit ishte mesazh se furnizimi me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshëm edhe në atë kohë”, ka shkruar presidenti në profilin e vet në “Facebook”.
Presidenti në fund të shkrimit ka shkruar “Nderime përjetë të gjithë dëshmorëve të kësaj beteje të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.