Thaçi i bindur se liberalizimi ndodh sivjet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se votimi i demarkacionit me Malin e Zi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është një sukses i jashtëzakonshëm dhe Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që i ka pasur për liberalizim të vizave.
“Tani më Kosova ka implementuar të gjitha kriteret që ishin caktuar nga Bashkimi Evropian, edhe lufta ndaj korrupsionit ka vazhduar dhe për këtë është dëshmuar. Tani më nuk ka dilemë, unë edhe gjatë takimeve që i kam pasur edhe me Komisionerin Hahn dhe Mogherinin më është konfirmuar se liberalizmi i vizave do të ndodh gjatë këtij viti”, ka thënë ai në “RTK”.
Ai është shprehur se Kosova do të lëvizë përpara edhe me themelimin e Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe.
“Kosova ka ecur përpara dhe me këtë është dëshmuar edhe me vendimin e kryeministri Haradinaj për të ecur përpara për Asociacionin, ndërsa Serbisë i kanë mbetur edhe dy çështje që nuk i ka përmbushur ajo për urën dhe ajo për energjinë. Nuk ka dilema, ky është vit i vizave për Kosovën”, deklaroi ai.
I pari i vendit vlerësoi se Asociacioni do të themelohet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij ky Asociacion mbetet në kompetencat e ekspertëve.
“Është një proces i përbashkët dhe ky do të ketë sukses”, ka thënë ai.
Për arrestimin e Marko Gjuriqit, i pari i vendit tha se nuk prishen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Ai e ka shkelur ligjin e Kosovës, ai ka marrë atë që e ka merituar. Edhe Serbia e ka kuptuar se Kosova është shtet”, ka thënë ai.
Ndërsa për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova që ngjalli shumë reagime, i pari i vendit vlerësoi se Kosova dhe Turqia kanë raporte shumë të mira e korrekte.
“Turqia është një prej vendeve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka dhënë shumë ndihmë në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke lobuar për këtë. Kosova është në proces të integrimit në UNESCO dhe INTERPOL. Ajo do të ndihmojë. Arrestimi i gjashtë qytetarëve duhet të shikohet si rast i izoluar. Kosova ka deportuar mbi 300 qytetarë dhe duhet të shikohen të gjitha hallkat”, ka thënë ai.