Thaçi bisedoi me presidentin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe dialogun
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës duhet të vijë shpejtë dhe t’i jepet fund izolimit të Kosovës.
Ndërsa presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka shprehur mbështetje të plotë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve, si kusht për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe për hapjen e perspektivës për anëtarësim në BE.
Dy presidentët kanë biseduar edhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
/Epoka e re/