Thaçi: Bombardimet e NATO-s parandaluan spastrimin etnik
Sot bëhen 19 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook” ka thënë se kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë.
“U bënë 19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Bombardimet e pandërprera të NATO-s, 78 ditë me radhë, e dhanë rezultatin e tyre. Ato parandaluan spastrimin etnik, katastrofën humanitare, përshkallëzimin e krizës në rajon dhe detyruan Serbinë t’i tërheqë forcat e saj policore, ushtarake dhe paramilitare nga Kosova. Lufta dhe terrori serb kishin zgjatur shumë, por më në fund edhe populli ynë po i kthehej jetës normale. Me ndihmën e shteteve mike, ne e rindërtuam vendin tonë të lirë dhe e bëmë të pavarur e sovran. Kosova tash është faktor paqeje në rajon dhe storie e suksesit. ka shkruar Thaçi.