Thaçi: BQK-ja ka pasur rol të madh në integrimin ekonomik me vendet e zhvilluara
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Thaçi ka thënë se 20 vjet më parë janë vendosur themelet e Bankës Qendrore e Kosovës, ndonëse atëherë kishte një emër tjetër me mision më modest.
“Në dukje ishte një hap i vogël, por në të vërtet ishte një hap i madh, sepse aty u vunë themelet e sistemit të mirëfilltë bankar. Me këtë rast duhet t’i falënderoj të gjithë themeluesit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e në veçanti Fondin Monetar Ndërkombëtar për asistencën teknike që kishte dhënë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e pakove ligjore përkatëse filloi një periudhë e re për BQK-në dhe për zhvillimin ekonomik të Republikën e Kosovës.
“Që nga atëherë, BQK-ja ka shënuar suksese të mëdha, që kanë rezultuar me rritje ekonomike të vazhdueshme, me stabilitet financiar, me sistem modern të pagesave, me rregullim financiar dhe me ngritje të kapaciteteve të avancuara mbikëqyrëse”, ka pohuar presidenti Thaçi.
Në shënimin e këtij përvjetori, presidenti Thaçi, ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës ka pasur rol të madh në integrimin ekonomik me vendet e zhvilluara, sidomos me ato të Bashkimit Evropian.
“Mund të themi me krenari dhe me bindje të plotë se në këtë rrugëtim BQK-ja është model për krejt rajonin. Falë profesionalizmit dhe integritetit të BQK-së janë vetë qytetarët e Kosovës ata që kanë përfituar, që nga qasja më e lehtë në financim e deri tek stabiliteti ekonomik që gëzojmë”, ka thënë ai.
Më tutje, Thaçi ka theksuar se nga mekanizmat e ndërtuar ka përfituar edhe diaspora, pasi është ndërtuar një sistem financiar që i ka mundësuar diasporës një lidhje më të ngushtë me ekonominë e Kosovës.
Ai e ka përgëzuar guvernatorin Mehmeti, gjithë stafin e BQK-së, guvernatorët e mëparshëm dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në të kaluarën dhe kontribuojnë edhe sot.
“I falënderoj edhe partnerët ndërkombëtarë, Thesarin Amerikan, USAID-in, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Qendrore Evropiane, GIZ-in dhe shumë institucione tjera për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë këtij institucioni”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se në përvjetore të tilla duhet të projektohen sfidat që e presin BQK-në dhe institucionet financiare të Kosovës.
Një nga sfidat, sipas tij, është integrimi i mëtutjeshëm i sistemit tonë financiar me sistemet e vendeve të zhvilluara dhe plotësimin e të gjitha kritereve të Sistemit Financiar të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Po ashtu, sfidë është edhe ruajtja e stabilitetit financiar që kemi dhe ndërtimi i mekanizmave që do ta mbajnë këtë stabilitet financiar. Me përkushtimin dhe aftësitë e treguara deri tani kam besim të plotë se BQK-ja do të jetë në gjendje të përballet me sukses me këto sfida”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit është shprehur i bindur se BQK-ja do të vazhdojë ta forcojë sistemin financiar dhe të luajë rol mbikëqyrës në zhvillimin ekonomik, duke promovuar parimet e ekonomisë së tregut të hapur dhe konkurrencës së lirë.
/Epoka e re/