Thaçi deklarohet pas ndalesës që iu bë Vuçiqit në Drenicë
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dalë kundër bllokimit të rrugës nga ana e banorëve dhe veteranëve të Drenicës dhe në të njëjtën kohë e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia ndalur vizitën Vuçiqit në Banjë të Skenderajt.
“Si president i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta. Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Deklarata e plotë e Thaçit:
Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë itinerarin e saktë.
Por, për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e vizitës së tij në fshatin Banje.
Si President i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revolten e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.
Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë.
Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite.
Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor.
Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit.