Thaçi dekoroi antropologen Bertit Backer me Medaljen Presidenciale Jubilare
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën e ka dekoruar antropologen norvegjeze Berit Backer, pas vdekjes, me Medaljen Presidenciale Jubilare.
Presidenti Thaçi ka thënë se antropologia Berit Backer ishte ndër zërat e parë që ka folur për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Kosovë. “Ishte ndër zërat e parë që ka folur për Kosovën dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duhet ta kujtojmë se sa e vështirë ka qenë të flitet asokohe në atë kontekst për shqiptarët dhe për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit u shpreh i lumtur që në cilësinë e presidentit të Republikës së Kosovës po e dekoron pas vdekjes antropologen Berit Backer për kontributin e saj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “I jemi mirënjohës familjes së saj, shtetit norvegjez dhe popullit norvegjez për përkrahjen dhe miqësinë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Antropologia norvegjeze, Berit Backer, në masë të madhe karrierën e vet ia kishte dedikuar shqiptarëve.
Në emër të familjes Backer, dekoratën e ka pranuar ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, bashkë me grupin inicues në përbërje të Nufri Lekajt, Ann Christine Ekk dhe Shkëlzen Kuklecit.