Thaçi dekoroi Hasanin me Medaljen Presidenciale të Meritave
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasanin.
Presidenti Thaçi ka theksuar se KOK-u bashkë me federatat dhe sportistët kanë shënuar suksese domethënëse për Kosovën, sidomos në arenën ndërkombëtare.
“Ju përgëzoj për punën dhe kontributin që keni dhënë në zhvillimin e sportit, anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në prag të trevjetorit të anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, presidenti Thaçi e ka dekoruar kryetarin Hasani me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e tij në zhvillimin e sportit tw Kosovws. Ndërsa, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, është shprehur i nderuar me dekoratën që ka pranuar nga presidenti, duke thënë se ky është një motiv shtesë për arritjen e sukseseve të mëtejshme për Kosovën.
Ai e ka informuar presidentin Thaçi për përgatitjet që po bënë KOK-u për Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018 dhe për Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020. Presidenti Thaçi ka theksuar se përfaqësimi i Kosovës me sportistë në këto ngjarje është një mundësi shumë e mirë për promovimin e sportit tonë dhe e forcon edhe shtetësinë e Kosovës.