Thaçi dekoron me medalje Vasfije Krasniqin
Vasfije Krasniqi-Goodman është dekoruar me medalje presidenciale “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës” nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.
Kreu i shtetit e falënderio Vasfijen për, siq e quajti ai, trimërinë e jashtëzakonshme që tregoi ajo me rrëfimin e ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1998-99.
“Sot është një nga momentet më emocionuese dhe më rrënqethëse në jetën time, kur sot dëgjojmë rrëfimin e heroinës së gjallë, Vasfijes, rrëfimin e së vërtetës në kërkesë për drejtësi”, ka thënë Thaçi.
Vasfije Krasniqi ka falënderuar presidentin për dekoratën, përderisa bëri thirrje për drejtësi.
“Unë dua t’ju falënderoj juve, ndërsa në emër të të mbijetuarave duam drejtësi juridike”, ka thënë ajo.
Vasfije Krasniqi ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Ajo të martën rrëfeu rastin e përdhunimit nga forcat e policisë serbe, në prill të vitit 1999. Për rastin e Vasfijes janë gjykuar dy serbë, të cilët gjykatat e Kosovës i kanë shpallur të pafajshëm.