Thaçi dekreton Hotin për kryeministër

30 prill 2020 | 16:53

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dekretuar Avdullah Hotin nga LDK-ja për kryeministër të Kosovës.

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi ka thënë se vendimi për t’i dhënë mandatin për të udhëhequr me qeverinë LDK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Siç edhe jeni të informuar edhe nga konsultimi që zhvillova të mërkurën me liderët e të gjitha partive parlamentare, që përfaqësojnë vullnetin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Të gjitha këto parti, vlerësojnë që Kosova duhet të ketë qeveri të re, me përjashtim të një partie politike. Prandaj, pas letrave që i kam drejtuar kryetarit të LDK-së, praktikë e mëhershme drejtuar edhe partisë që ishte e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sot kam marrë një letër nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes së cilës, ai konfirmon se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër”, ka thënë Thaçi.

“Prandaj, pavarësisht rrethanave këto veprime politike janë të rregulluara qartë dhe në mënyrë shumë precize me Kushtetutë dhe s’mund t’i konsiderojmë si të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

“Në ditët në vijim, një qeveri tjetër e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës. Sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët dhe nga zotimi i dëshmuar sot nga shumica e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, ka deklaruar Thaçi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo është një periudhë e vështirë për futbollin kudo në…