Thaçi: Demarkacioni si kriter i BE-së për vizat ka qenë vetëm një mashtrim për Kosovën
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie të mërkurën ka folur në detaje për atë së çfarë është diskutuar në Samitin e Berlinit.
Ai ka thënë se në pjesën e parë të këtij samiti është diskutuar për raportet në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në pjesën e dytë për raportet Kosovë-Serbi. Thaçi ka thënë se në këtë samit liderët nga Kosova kanë shprehur qëndrimet e tyre në përputhje me Kushtetutën e vendit tonë.
“Takimi ka qenë i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë është diskutuar për raportet në Ballkanin Perëndimor. Ka qenë inkurajuese angazhimi i kancelares Merkel, presidentit Macron, por edhe i zonjës Mogherini që të lëvizet kjo gjendje-situatë, mund të themi apo një procesi që në këtë rajon është tërësisht i bllokuar. Vlerësoj qëllimin e mirë dhe durimin e vendosmërinë që është treguar nga kancelarja e presidenti, në takimin që zgjati disa orë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se gjatë këtij samiti ka theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit është duke mbetur vetëm një frazë e mirë.
“E kam theksuar që në hyrje të fjalës time që perspektiva evropiane ende mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët ndërsa nuk vazhdon të veprohet asgjë konkrete nga Bashkimit Evropian. Kjo nuk përputhet aspak me pritjet tona përkundër faktit që shpallja e pavarësisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë”, ka thënë Thaçi.
Më tutje, presidenti Thaçi, ka thënë se jostabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës në shtetet fqinje është rezultat i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Serbia vazhdon të sillet në mënyrë jo evropiane. Në të njëjtën kohë BE-ja është e heshtur karshi këtij raporti. Kjo sjellje ka bërë që të kemi një ngrirje të njohjeve për Kosovën. Kosova e ka të pamundur të bëjë hapa konkret për anëtarësim në BE e NATO. Si përfundim marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë janë në vazhdimësi të acaruara. Dialogu i filluar në vitin 2011 përkundër rezultateve ka mbetur i bllokuar nga Serbia e cila ka kushtëzuar vazhdimin me lloj-lloj pengesash, Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë. BE-ja ka hequr vizat për Bosnjën, e këta të fundit nuk e kanë bërë këtë. Edhe nëse BE-ja heq vizat për Kosovën, në Bosnje nuk do të ndryshojë situata”, ka theksuar Thaçi.
Në këtë kontekst, Thaçi ka përmendur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi si kriter i fundit për liberalizim të vizave. Ai ka thënë se ky kriter i proklamuar nga BE-ja për heqjen e vizave ka qenë vetëm një mashtrim për qytetarët e Kosovës.
“Ky kriter i fundit që na është dhënë ka qenë vetëm një mashtrim e asgjë më tepër. Kosova mbetet me e izoluara padrejtësisht në Evropë, nga mungesa e vendimmarrjes unike”, është shprehur Thaçi.
Në këtë konferencë, Thaçi ka folur edhe për paraqitjen e Kosovës dje në Kongresin Amerikan, me theks të veçantë për paraqitjen e Vasfije Krasniqit.
“Dua të kujtoj edhe njëherë rrëfimin rrëqethës të Vasfije Krasniqit, ku edhe njëherë dëshmojë përmasat e dhunës, krimit e gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën civile shqiptare. Edhe pas 20 viteve nuk ndodhet askush nga ata që kryen krimet para drejtësisë. Dua të falënderoj mikun e madh të Kosovës, kongresistin Eliot Engel që ka bërë shumë për të vërtetën dhe shqiptarët. Pa mbështetjen e tij, shumë rrëfime për krimet në Kosovë do të ishin të pamundura. Sot kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, them se çdo ditë jemi duke kujtuar dhe vazhdojmë të marrim pjesë në përkujtime të ndryshme nga një masakër në masakrën tjetër”, është shprehur Thaçi.
/Epoka e re/