Thaçi dhe Haradinaj, siç kanë ditur ta çlirojnë Kosovën, dinë edhe ta mbrojnë atë (24)

06 gusht 2020 | 11:17

Shkruan: Kudusi Lama

Ndoshta shumëkujt do t’i duken të tepërta e të panevojshme shumë citime që janë vendosur në këtë analizë reaguese. Do të ketë shumë të drejtë se edhe unë gjatë punës me këtë material kam shumë momente që më duken të panevojshme disa citime, por i kam vënë në renditje të rrjedhës, sepse qëllimi im është të bëj që lexuesi të kuptojë se ku i ka marrë Dick Marty të dhënat për raportin e tij, që e ka dëmtuar mjaft imazhin shqiptar në opinionin e gjerë ndërkombëtar. Të kuptojnë lexuesit se ky zotëri nuk është tjetër veçse një zë i Serbisë në dritaret e Evropës, për ta nxirë imazhin shqiptar.

Dhe sa shumë lidhje ka sipas Serbisë e zotit Marty, Hashim Thaçi me Drenicën, na jepet në të dyja këto materiale identike, për ta vërtetuar në radhë të parë për vete, por edhe për opinionin “rrezikshmërinë” që ky grup paska për Ballkanin dhe Evropën.

Me thënë të drejtën, mua që ndihem plotësisht njohës i zhvillimeve të luftës e pasluftës, nuk më duket se ky lloj kriminaliteti qëndron. Unë mund të kem pretendime për qeverisje edhe më të mirë prej Hashim Thaçit e bashkëpunëtorëve të tij, por që ai dhe gjithë ata që qeverisin Kosovën sot, të punojnë për ta kriminalizuar vendin e tyre, më duket absurde dhe e papranueshme. Sepse kjo do të ishte sikur ta ndërtosh një shtëpi të bukur për vete dhe pastaj t’i veshë zjarrin. Besoj se nuk ka shqiptar të paktën që të besojë se djemtë që zhvilluan luftën duke bërë sakrificat më të larta për hatër të atdheut, të përpiqen sot ta djegin atë.

Por ja që gjendet dikush, i cili përpiqet të na e njollosë luftën dhe paqen e shqiptarëve. E të tillë që gjenden në Serbi shqiptarët e dinë, por që të gjenden edhe në Evropë na duket një kundërvënie qëllimkeqe.

“Në territorin e komunave të Pejës, Deçanit dhe Gjakovës, që gjenden në zonën e Dukagjinit, vepron i ashtuquajturi grupi i Metohisë të cilin e udhëheq Ramush Haradinaj. Familja Haradinaj është e orientuar në tregtinë ilegale me armët, drogën, mallrat akcizë, me automjetet e vjedhura, etj. Malli kontrabandë shpërndahet në Maqedoni, në jug të Serbisë, në zonën e Rashkës dhe në Mal të Zi, duke shfrytëzuar drejtimin rrugor Pejë – Kulla – Rozhajë. Duke pasur parasysh lidhjet e afërta të Ramush Haradinajt me luftëtarët e ish-UCK-së, të cilët, pas çmilitarizmit të saj, kaluan në radhët e K3K-së., dhe të Shërbimit të Policisë së Kosovës, është në gjendje të realizoj tërthorazi kontrollin mbi kufirin e zonave të përmendura si dhe me veprimtaritë kriminale dhe terroristike në këtë terren”.[1]

Ramush Haradinaj dy herë si rrjedhojë e këtyre akuzave shpifëse u dorëzua për gjykim në Gjykatën për Krime Lufte në Hagë. Të dy herët e fitoi luftën përballë akuzave të ngritura kundër tij. Dy herë Ramush Haradinaj e mundi Serbinë atje në mes të Evropës. Dy herë u kthye kryelartë si një luftëtar i devotshëm në atdheun e tij. Pse zotëri Marty nuk e vlerëson këtë akt, por e paragjykon edhe atë e edhe aktin e fitores dy herë të Fatmir Limës? Por mjaftohet duke thënë se gjykimi nuk është arritur të bëhet si duhet? Siç duket zotëri Marty, sipas instruksioneve të Serbisë, e di mirë atë tregimin popullor, që: “Një kriminel i cili nuk kishte lënë të keqe pa bërë kundër njerëzve që kishte përreth kur i afrohet vdekja i mbledhë këta njerëz që ishin kryesisht bashkëfshatarët e tij dhe u thotë: E kuptoj që në jetën time u kamë bërë shumë të këqija, prandaj do t’u lë amanet që të më ndëshkoni pas vdekjes. Për ndëshkim dua që kur të më varrosni, të më lidhni një litar në qafë e ta lini pjesën e litarit jashtë varrit, që secili ta dijë se pas vdekjes time e keni marrë hakun. Dhe fshatarët pasi vdes krimineli, kur shkojnë për ta varrosur, sipas amanetit, me të drejtë të Zotit, i lidhin litarin në fyt dhe pjesën zgjatuese të litarit e lënë jashtë mbi tokë. Ndodh që ato ditë andej kalon një repart kalorësie dhe kali i një ushtari ngatërrohet në litarin e varrit të kriminelit e rrëzohet. Ndalon reparti dhe shikojnë litarin, gërmojnë varrin dhe shikojnë se litari ishte lidhur në qafën e të vdekurit. Krijojnë bindje se dikush e kishte mbytur dhe varrosur me gjithë litar. Mbledhin gjithë fshatin dhe fillojnë t’i torturojnë për të treguar se kush e ka mbytur të vdekurin. E në këtë moment njëri thotë: Mirë që na nxiu jetën sa ishte gjallë, por po na dërmon kockat me dru edhe i vdekur”. Pra, prej kësaj kuptoj se krimineli edhe në grahmat e fundit mendon si mund të bëjë krim edhe pasi të ketë vdekur. Jam i sigurt se Serbia këtë synim ka pasur dhe ka në gjithë veprimtarinë e saj të djeshme dhe të sotme, por ja që gjeti edhe një Dick Marty që u bë bisht i saj.

“Në zonën e Llapit, duke përfshirë komunat e Gjilanit, Vitinit dhe Kaçanikut, vepron grupi besnik i Rustem Mustafës, të quajtur “Remi” njëri prej komandantëve më me ndikim të UÇK dhe K3K. Ky klan është i orientuar në veprimtarit e lidhura për kontrabandën e drogës dhe është në lidhje të ngushtë me familjen Haradinaj”.[2]

Është për të vlerësuar që nuk është lënë kuadër i lartë i drejtimit të luftës çlirimtare të Kosovës që nuk është përgojuar si drogmen, trafikant, kriminel, terrorist etj., duke tentuar t’i njollosin të gjithë. Të krijohet ideja që këta djem që bënë luftën nuk paskan pasur tjetër qëllim vetëm të kryenin vepra të tilla. Po pse duhet të kryenin vepra të tilla këta duke u vënë përballë forcave ushtarako-policore serbe e duke luftuar kundër tyre? A nuk ishte më e lehtë të merreshin me këto lloj krimesh pa qenë të përballur me forcat e pushtuesit e, ndoshta, duke punuar bashkë me ta, siç edhe ka momente kur njerëz të ndryshëm të kombësisë shqiptare kanë bashkëpunuar me serbët e me Serbinë edhe për këto rrugë?

Por jam i bindur se synimi nuk është që të thuhet diçka që qëndron, qëllimi është të hidhet baltë mbi gjithçka që kombi shqiptar e konsideron të çmuar, që opinioni të “kuptojë e bindet” se shqiptarët atë që e kanë më të shenjtë e kanë kriminale dhe prej kësaj rrjedhë arsyetimi se me shqiptarët mund të kuptohesh vetëm duke i shtypur, duke i masakruar, duke i vrarë dhe duke i mbajtur të shtypur e në skllavëri.

Familja Lluka është e lidhur me mafinë shqiptare dhe merret me kontrabandën e armëve, të drogës dhe me mallra akcize (cigare, benzinë), vepron nën mbulimin e Hashim Thaçit dhe të Ramush Haradinajt dhe të mafies shqiptare.[3]

Është i pa pranueshëm fakti që gjithkund nëpër Kosovë na qenkan të lidhur Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Ata siç duket e paskan çliruar Kosovën për ta bërë vend të krimit. A nuk kanë pasur mundësi kur kanë gjithë këtë fuqi që e deklaron Serbia, që pikërisht Serbinë ta kishin kriminalizuar? A nuk paska pasur mundësi familja Lluka me gjithë atë fuqi ekonomike që bashkë me këta dy njerëzit që vërtetë janë të fuqishëm por jo për krime, nëse do të ishin të tillë ta shtrinin fushën e veprimit në Serbi e ta kriminalizonin në të gjithë hapësirën e saj?

Ky lloj arsyetimi mua më duket sikur të ndodhte një rast kur: një njeri pasi ndërton një shtëpi për vete, e kthen atë në çerdhe minjsh. A ka mundësi që i zoti i shtëpisë ta kthejë shtëpinë e tij në çerdhe minjsh? Shqiptarët nuk e imagjinojnë një gjë të tillë, ndoshta serbët dhe zoti Marty po.

Duhet ditur se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, po të ishin të tillë që të aktivizonin mafie, pa tjetër që do ta aktivizonin në Serbi. Edhe unë po të kisha një ambicie të tillë këtë do të kisha bërë, por kurrë ndër familjarët e mi e ndër shqiptarët, ashtu sikur edhe ata kurrë dhe për asnjë arsye nuk do ta kthenin Kosovën në terren mafieje. Por ne nuk mendojmë e veprojmë si serbët, ndaj edhe nuk na shkon në mendje të bëjmë akuza të tilla as për ta. Megjithëse mirë është që të përfitojmë nga kjo përvojë e “vyer” serbe e të fillojmë të shpifim edhe ne ashtu sipas përvojës që serbët e kanë shumë të sofistikuar. Por jam i sigurt se ne nuk kemi nevojë të shpifim, ne kemi nevojë vetëm të evidencojmë me besnikëri ato që serbët kanë bërë në trojet shqiptare, në Kosovë e mbi shqiptarët për një shekull, ato është mirë t’i evidencojë edhe zotëri Marty, sa merret me shpifje kundërshqiptare. I shkreti, s’ka ç’bën, është me shërbim, pasi paguhet për shpifje, s’ka alternativë tjetër. Ai që t’i blen brekët edhe t’i heq sa herë të dojë vetë, ashtu edhe atij ia ka blerë brekët Serbia e ia heq sa herë të dojë, ndaj do ta hedhë vallen si duan serbët.

Ndërsa Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ashtu siç kanë ditur ta çlirojnë Kosovën e ta krijojnë shtetin e popullit të tyre, do të dinë edhe ta mbrojnë nga mafia që e dëshirojnë shumë armiqtë e shqiptarëve e dhe nga shpifjet serbe e të zotëri Martyt, zëdhënësit më të fuqishëm të Serbisë “demokratike” pas millosheviçiane.

“Familja Selimi, së bashku me familjen Lluka kontrollon kontrabandën e armëve, të drogës dhe automjeteve në zonën e Dukagjinit. Gjithashtu merret dhe me taksat ilegale të shqiptarëve si dhe me frikësimin e kundërshtarëve politikë. Janë të lidhur me Hashim Thaçin”.[4]

Siç shikohet, ashtu si edhe në raportin e zotit Marty, Hashim Thaçi kurrë nuk është marrë me asgjë tjetër veçse me koordinimin të kriminelëve dhe të rrjetave kriminale nëpër Kosovë, në trojet shqiptare, në Ballkan e në Evropë, bile në disa raste edhe në Amerikë. Shumë i zoti Hashim Thaçi. Mirë që nuk kanë shkruar se me ato para këta qeverisës të Kosovës i kanë bërë rrugët asfalt edhe nëpër bjeshkë. A ndoshta me këto para po i bëjnë edhe autostradat anembanë vendit të tyre. Ndoshta, pres të na e thotë Serbia e Dick Marty dhe Gjykata Speciale që po na i lodhë djemtë pa lidhje thonë pleqtë.

“Familja Kelmendi është në lidhje të ngushtë me Ramush Haradinajn dhe kontrollon kontrabandën e drogës e të naftës, tregtimin e njerëzve, si dhe pastrimin e parave në zonën e Pejës”.[5]

Po Ramushi ku i përdorë gjithë ato para? Atij deri tani pas lufte pak i është lënë kohë të tregojë se sa shumë di të punojë për vendin e tij, siç ka treguar se sa shumë di të luftojë si luftëtar e komandant në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe që nuk i është lënë kohë, fajtorë janë Serbia dhe Dick Martat e Evropës që shpifin pa ndërprerje kundër tij, si edhe kundër të gjithë atyre të e pështynë Serbinë në surrat me gjithë potencialin masiv njerëzor e materialo – teknik luftarak që përdori kundër tyre.

“Familja Elshani merret me kontrabandën e armëve dhe të benzinës. Kontrollon zonën e Vitomircës dhe është e lidhur me Ekrem Llukën e XhavitHalitin”.[6] (Vijon)

 

 

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 31, botimi serbisht

 [2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 31, botimi serbisht

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 31, botimi serbisht

[4] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 31, botimi serbisht

[5] Po aty faqe 31

[6] Po aty faqe 31

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sabit Veseli, Hero i Kosovës - (16.11.1958 – 06.08.2010) Braboniqi u…