Thaçi dhe Krasniqi thoshin ‘jemi gati të luftojmë’, po do punë nuk i dinin
Bisedë me Hysen Tërpezën (3)
Ju e kishit vendosur, me komunistë kurrë?
– Unë isha i vendosur se me komunistë nuk shkoj kurrë! U lidhëm me dikë, por me kë të lidheshim? Sikur me fëmijë! Ta jep fjalën këtu, në krye të rrugës e ndryshon. Njeri pa shkollë është veç një copë mish me dy sy, se ai pak di. U lidhëm me Mulla Idrizin. Na patën mbetur tre inglizë në dorë. Tre muaj përpara a katër, ata i kish pas zënë rob gjermani nga Maqedonia, e duke i çuar për Berlin a nuk e di. Kur ka ardhur treni në Kaçanik, është bërë një alarm për një aeroplan amerikan. Ata kanë dalë prej trenit. Kanë marrë malin. I kanë zatet shqiptarët. Ua kanë marrë teshat e i kanë lanë veç në këmishë e në done. I ka parë dikush e më kallëzuan mua. Unë isha në Hogosht. E gjej një njeri për ta çuar në Viti. E gjej Hasan Kabashin. I thashë shko gjej ata njerëz e qiti nga Stublla. Atje ka katolikë, por shumë nacionalistë. T’i fshehim, se na vyejnë dikur. I kallëzova edhe kolonelit nga Dibra, se te ne pati ardhur ushtria shqiptare. Kanë gjetur një përkthyes, po nuk ka ditur mirë anglisht. Njëri kish qenë grek. Oficer i shtatmadhorisë greke. Kur u hallakat puna, erdhi Mulla Idrizi tek unë me Muharrem Fejzën. Edhe ky ishte intelektual. Brahim Kelmendin e njihja mirë, qysh kur kemi luftuar në ’44-tën në Preshevë. Aty ka qenë luftë e madhe. Aty qenë vrarë shumë. Qe vrarë Syla i Pozharanit. 12 veta janë vrarë. I kanë varret skaj Presheve, te Llojani. Në Runicë janë të vrarë 13. Katundin e kallën krejt. Panashecin, ashtu edhe Izvorin. Mulla Idrizi ish aty, edhe ky i kumanovsi. Ai gjithmonë ka qenë me bullgarë, por partizan. Këta kanë vdekur të gjithë. Isha asokohe i ri. Pata unë një fuqi të madhe. I mundëm aty. Na erdhi haberi që u kthyem edhe në Gjilan. Hyri Hitleti krejt. Kur erdhi Mulla Idrizi u mblodhëm ne. U bëmë nja 100 veta. Rexhep Kabashi i pruri edhe inglizët tek unë. Bile njërit, duke hëngër bukë, i kish mbetur buka në fyt. Unë nuk e kam ditur. Kam marrë vesh kur kam shkuar në Greqi. Atje kur jam takuar me ta, e kam marrë vesh. Ka qenë një djalë i hallës, edhe ai ka vdekur aty. Ai bënte hyzmet. Edhe Mulla Idrizi ishte aty. E kishin gjetur një djalë të ri, kishe pak për t’u marrë vesh me ta. Ata thoshin veç e dimë që këtë pushtet nuk e duam. Tash është luftë dhe tjetër nuk dimë. Biseduam me Mulla Idrizin. Ai po thotë më mirë t’i dorëzojmë, se mos të na i gjejnë në dorë. Këta janë ushtarë. I çuam për t’i dorëzuar në një vend. Pastaj u bë bujë e madhe. Çohet një hoxhë Nishevci, i Podujevës ka qenë, e bënë kishe komandant brigade. E kisha Ibrahim Kelmendin dhe Luan Gashin. Luan Gashi kish pas bërë shkollë në kohën e Zogut në Tiranë. Edhe Adem Gllavica ka bërë shkollë në Serbi. Ademi deshi të dorëzohej, se ua kishte ndrequr shenjat e komunizmit krejt nxënësve. U mashtrua, ndoshta se ka qenë i ri. Mulla Idrizi më tha, shko nga Kosova mos po e takon dikë. Shkova unë. E mora Sadik Pozharanin me vete. Ishte trim. Shkuam në fushë të Harilaçit. Një herë e kisha parë Ademin në Ferizaj. Djalë i ri. Ka pas kryer shkollë kur ka qenë Jugosllavia. U nis me dy shokë me vete për t’u dorëzuar në Ferizaj. I ka thënë njëri se e kanë vënë flamurin. Unë ia ngjita për krahu: Adem, ku je, si je? Ku po shkon, more, të plasshin sytë?! Unë po e mbaj duke folur, po nuk po mund ta ndal. Kur po i shoh tre-katër veta kanë dalë prej Ferizajt duke ikur. Zoti na ruajttë! Çka është, bre? Ai i njohu ata që iknin, se kishin qenë të asaj ane. Tha e vranë njërin, e rrëzuan flamurin tonë. Atëherë u ndal. I thashë a po e sheh? Eja në vete, se je intelektual? E kam aty Mulla Idrizin, e kam Ibrahim Kelmendin e Luan Gashin. Të nesërmen erdhën nja 40-50 veta. Aty kanë qenë shpitë e xhandarmërisë në kohën e Jugosllavisë. Tash ato ishin të zbrazëta. Kishte vend për një mijë veta. Rrija në katund. Erdhi Mulla Idrizi me shokë. Erdhën edhe do prej Moravës këndej. I mbaja me bukë në katund. Kam marrë bukë edhe nëpër serbë. Nuk pati ardhur hala ushtria.
Dikush po thotë hala janë brigadat. Janë përgatitur në Prishtinë. Duke biseduar me Rrahmanin, ai po thotë: sa kohë duhet të luftohet? Do të rri gur më gur. Ai ish gati 60 vjeç. Aga Rrahman, i thashë, qysh po thua? Këtë gjë që po e lyp ti, nuk e di Ruzvelti, as Stalini i Rusisë, as kurrkush. S’dihet çka është. Duhet të luftojmë për komb e të kallëzojmë që ky vend është yni. Dolëm edhe në Kovilaçë. Atje ka qenë një kryeplak i fortë. Ai po thotë se i ka thënë komandantit që pa luftë nuk mund të dilni. Me ka çuar ai koloneli, a ka besë të flasë me ty. I thashë shko merre. Shkoi e pruri. Ai ishte me uniformë. Pak xhandarë me vete, shokë. Ai tha unë jam ushtar. O sonte të gjendem në Shkup, o ta vras veten. Unë pa rënë nëpër Bresë nuk mund shkoj. Ashtu e kam rrugën. Thashë ne nuk jemi kriminelë. Ne jemi shqiptarë. S’duam të vritemi me kurrkënd. Ti je oficer e duhet të jesh i mençur. Ma jep fjalën që nuk e lakon udhën. Ish udha vijë e drejtë, që të mos hysh nëpër katund hiç, prej majës së Kopilaçës. Ishte vera, kështu më kujtohet. I thashë se je i rrethuar. Dolëm në një kodër edhe ne. Ishim goxha shumë, gati 200 veta. Kur kemi dalë në fushë të Kumanovës, kishin qenë të vdekur nja dy njerëz. Atyre ua shtinë flakën, mbasi dolën prej malit. Ushtria ishte aty. Njerëz të tjerë nuk pati.
Pse s’e vrisnit ushtrinë e shkaut?
– Jo! Ne nuk mund ta nisnim luftën prapë. Ne u kthyem këtej te ne prapë. Duke mbledhur njerëz. Unë e kam njohur vendin. Kam pasur lidhje me Ramiz Cërrnicën. E kam dashur shumë. Ka qenë tek unë sa isha në Hogosht. I thosha: Ramiz, po vjen dita. A është besa që do të luftojmë? Besa është!
Më 14 nëntor isha në komunë. Po dua ta lëshoj komunën. Komunisti hala nuk kish ardhur, po u mor vesh kjo punë. Kur një ditë ra telefoni. Vllada Popoviqi, tha, prej rojës a nuk di ku! Mos luani tha, se ti edhe kryetari i Pozharanit jeni besnikë të shtetit të parë. Hajt, aga Ramiz, thashë, se nuk e kanë fjalën këta për kryetar. Ia mbylla telefonin. Kur të nesërmen komanda kish ardhur në Ferizaj. Hoxhë Nishevci ish bërë komandant brigade. Edhe ai ma shkruan një letër mua. Letra e shkruar serbisht. Hero je e patriot je e kështu e kështu në letër. Po t’i çoj nja disa me yje. Zini rrugën e Prishtinës me nja dy mijë veta, rrugën e Bujanocit, rrugën e Shkupit. Rroftë marshall Tita e rroftë Enver Hoxha e rroftë Fadil Hoxha! Marrim shtetin pa gjak. Letra e shkruar serbisht.
Aty kisha profesor Brahim Kelmendin (ka vdekur në Australi që 12 vjet). E ndala edhe Adem Gllavicën. Po e këndojnë letrën. Shkruaj, bre. Unë nuk di të shkruaj. Dynjaja po u kall flakë, unë paqe nuk bëj me serbë. Unë dua luftë për tokat shqiptare. Të nesërmen a të pasnesërmen, shkruan letër Vllado Popoviqi. Serbisht edhe ai. Baballarët tanë kanë qenë miq. Më ka pas kallëzuar baba në luftën ballkanike ua kanë prishur edhe fenë. Sali Tërrnovcit ia kanë prishur fenë ose do t’ia prisnin krejt familjen. I kanë bërë rixha dy hoxhallarë që me të bëhej kurban për familje, por nuk kanë mundur t’ia ndërrojnë fenë. Baba tha, unë kam qenë lidhur në derë. S’e kanë prishur fenë. Njëfarë Giga i Gjilanit i bën suhal. S’e prish fenë, turk jam, turk do të vdes. Do të shkosh në xhenet, i kanë thanë dy hoxhallarë. Shpëtoji robtë! Pasi e mbushën nga goja me ujë për të kërcitur, u kthyen nga unë (rrëfen baba i Hysenit) e po thonë: O Sahit Tërpeza, ja do të pranosh edhe ti, ja do të të gjejë po kjo. Familjen e kisha larguar, tregonte baba. Në ato fjalë vjen dikush prej shkive. Kur këqyri, Toma! I bërtiti atij Gigës. Mos fol. Ky është njeri ynë. E kish pas shpëtuar baba një shka në kohë të Turqisë kur kish qenë në mal. I mbetet aty varri i hapur. Njeri nuk vdes. Mbasandej në Ferizaj, prej egjelit ka vdekur edhe ai.
Mirëpo, mbas dy vjetësh, rrotulloi puna. Serbia po, por nuk prek në fe, edhe namuz – jo. Mbasandaj kemi rrënuar në Jugosllavi, por në fe e namuz nuk ka prekur. Mirëpo, qe luftë e madhe ballkanike. Mbasi kaloi e lëshuan Sali Stanevcin. Atij ia solli Zoti t’i vrasë dy popa që e kanë kryqëzuar. E patën dënuar. I mbajti veç dy vjet burg dhe e lëshuan. Serbia e bëri me ligj të mos preket feja. Bile ardhke te ne ai Saliu. I ka pas mbetur emri Sali Saha. Ka pas shkuar në Shqipëri dhe atje ka vdekur.
Unë i dija këto krejt, bre mixhë. Isha i betuar. Kur erdhi Mulla Idrizi, u bëmë kallaballëk. Me një fjalë, a kemi qenë 100 a 200, tepër tre mijë vetave.
Ajo mbledhja që u mbajt për t’i rënë Ferizajt? Aty në atë librin që e ka shkruar Pirraku thotë se Mulla Idrizi ka thënë të mos i bihet Ferizajt, se po e marrim në qafë popullin? A e mbani mend këtë punë a jo?
– Erdhi haberi. Ne vendosëm t’i binim më një dhjetor Ferizajt! Edhe Mulla Idrizin ta çonim, se mbledhja ishte në një katund të Gjilanit.
Në Përlepnicë?
– Po! Në Prelepnicë. (Po e harroj këtë emër shpeshherë). I thashë: Mulla Idriz, ti shko! Unë i bëra tre intelektualë, Ademin, Ibrahim Kelmendin, Luan Gashin. Kishim luftëtarë boll. Dikush t’i biem Gjilanit jo andej, jo këndej, mirëpo ai ka shkuar atje, mua më kanë rrethuar këtu, e unë s’po e dija! Ka ardhur dikush nga Pozharani, civil. Kur i kam parë unë, nja 30 të Pozharanit kanë dalë. Ditë ishte hala. Do andej, do këndej. Unë nuk këqyra shumë. Musli Pira ishte këtu. Kur u avit njëri tha: Aga Hysen. Nuk e di kush ka qenë, se po harroj. Turma u shpërnda. Do në të djathtë, do në të majtë. Më ka lëshuar Tahir Zhegoci, më ka lëshuar Ahmet Devaja, Sejda i Tahir Agës. Unë dihet që nuk pajtohem me ta. U këput puna ime. Njerëz pa shkollë. Një kryeplak çka thoshte, ashtu bënin krejt katundi. Këqyri, kishin mbetur edhe nja treqind-katërqind. Çka të bëj, ishte një sahat a dy para akshami. Dy veta me kuaj. Kishim boll kuaj, se i kemi pas zënë jesirë në Maqedoni. I çojmë dy veta për t’i thënë Mulla Idrizit, mos e hallakat forcën në Prelpnicë, se na hyri shkau. Ishin shkatërruar para meje, atje në Gjilan. Aty kish pas thënë Mulla Idrizi, ngadalë, bacë, se nuk po i biem njëherë. Ai e ka parë situatën. Po shkaktar është ky djalë, Muharrem Fejza, i flaktë, thotë, t’i biem aga Hysen. Por, jo, atë natë nuk i ramë. U prish ai plan. Ishte hala dritë. Hajde mos po e bëjmë edhe ndonjë andej nga Sllakoci. Ne ishim tepër treqind veta, prapë. Aty në Sllakoc, një nëse dilte, tre dilnin të tjerë. U terrua. Aty është një udhë që shkon nga bjeshka për Ferizaj. Dolëm në Fushë të Madhe. Bajrush Xhakli ish me nja 10 a 12 dhe ata ishin ndalur te muhaxhertë. Kur shkuam, tashmë ishte terruar. Kemi hyrë në odë të Qerim Qazës. E kisha motrën aty. Kur hyra, aty e gjeta Adem Qorrin e Rahovicës. Si hyra tha: O Hysen Tërpeza, mos bre, se e merr popullin në qafë. Janë marrë vesh paria se do të bëhet me paqe. Hala pa u përgjigjur unë, një kushëri i tij i tha: Ju keni qenë me serbë gjithmonë, se ky është patriot e ju jeni tradhtarë. Ju jeni mësuar të jeni tradhtarë gjithmonë. Ai Sherifi u plagos atë ditë në Ferizaj. U ndalën fjalët, u çuam ne. Ademi, vëllai im, sa qe martuar, edhe një kushëri tjetër. U shpërndanë gati krejt. 27 kemi qenë Tërpeza krejt, të katundit, po nja dhjetë ishin tanët. Shkuam në fushë të Talinocit. Havaja ish mirë. Një dhjetor, që t’i biem Ferizajt. U thashë së pari të priten telat Prizren – Ferizaj. Gjashtë veta Prishtinë – Ferizaj, tre ishin kushërinj të mi. Të tretë kanë vdekur. Gjilan – Ferizaj pesëmbëdhjetë veta. Këtyre shkollarëve, pa dëgjuar kurrkush, u thashë rrini këtu. Ishte terr e qetësi. Miza mund dëgjohej. S’ishte ftohtë, as kurrgjë. S’po dinë, ishin pa shkollë. E bëmë parullën kripa-buka. E kuptuan menjëherë. S’po i dinë rregullat. T’i bihet një shteti. Kur dal, i numëroj, si sot, se kemi me dekë, si kur shkojmë për të vdekur. Kur i kam njehur: dyqind e nëntëdhjetë e një a dy. Me ata s’ishin më shumë se treqind veta. Thashë, vëllezër: Zoti një. Thashë jemi të fortë. Shtatëqind veta jemi, tha Ademi, o dajë, me këta! I thashë nuk jemi aq. Po jemi më pak. Unë mendoj, ti më mirë e njeh udhën nga Kaçaniku. Udha jonë që hyn për Ferizaj prej Gjilanit, në anë të majtë shtëpi nuk kishte më. Ka qenë një japi e madhe. Aty na patën thënë se është një brigadë a dy. Dy kishin qenë. Unë e kam Mulla Kadrinë të Llashnicës me vete. I rreptë. Bie shahadet. Na jep kurajë. Jemi ndarë ne në pjesë. E kemi lënë të hyjnë në Ferizaj arave. Kur dolëm te xhadeja që hyn në Ferizaj, ata ishin nisur dhjetë minuta pa shkuar ne. Ata ishin ndarë nga brigada për të shkuar në Prizren. Kur kanë dalë te xhamia e Ferizajt, janë zatet ballë për ballë me tanët. Ka krisur lufta. Aty janë vrarë shumë, 23-24 veta. U vra edhe kushëriri im i dytë. Do janë plagosur. Aty u vra edhe një Ramizi i Tërpezës. Aty përpjetë, shkuam deri në vend. Kishin qenë veç do vajza, që kishin mbetur për ta ruajtur aty atë vend. Bërtitën e u tutën. Mos u tutni, bre, u thashë unë, s’do t’ju prekë kush me dorë. Krisi pushka, bam-bum… Dolën pa rregulla, pa disiplinë. Dilnin pa kurrfarë rregulli, nga një shtëpi në tjetrën. Duke dalë i vrisnin. Pa disiplinë! Tepër kemi bërë punë. Unë u pata thanë mendoni mirë. Do të luftojmë, por mos ta presim që të bëhet ditë, se si të na zërë dita në Ferizaj, s’mund të shpëtojmë asnjë. Brigadat në Kaçanik e në Ferizaj i mori komunizmi. Kërciste pushka në të gjitha anët. Në krejt Kosovën. Ashtu, duke dalë, u zdrit, kur kemi mbërritur te kisha. Kisha që bërë ibret. Te kisha u vra një kushëri yni. Janë vrarë shumë të tjerë. Edhe kisha qe dëmtuar. Mbasandaj e kanë ndrequr.
Mua më ka pas hyrë në zemër mendimi se pa luftë nuk çlirohet Kosova. Pa luftë nuk e lëshojnë serbët.
****
(Ndërron temë për pak)
Bile erdhi puna, unë shkoja kur u lirua Shqipëria, ishte Sali Berisha president. E mora një letër. I kisha do djem të motrës atje. Mua më ka respektuar qeveria e Tiranës shumë. Shkuam aty. Ishin bërë kallaballëk. Aty ishte Sali Berisha. Erdhi Rugova e do të tjerë. Unë po rri ashtu. Isha bërë operacion tri herë. Kisha pasur ymër, shpëtova. Jam mbështetur ashtu, shtagën nën këmbë. Fol, more Tërpezë diçka, po më thotë Rugova. Thashë, vallahi, unë po flas pak, por para se të flas, ju po më shihni. Nuk jam krenuar. I thashë, ju e keni gjetur një fjalë, veç me paqe. Ju a po i shihni çka bëjnë serbët me rrena e dallavere? Morëm vesh që po duan të bëjnë monumentin e Car Llazarit në Gjilan. Thashë, s’di të shkruaj emrin tim, por marr vesh. I kam pyetur profesorët se luftën e 600-vjetorit nuk e ka fituar Serbia. E ka fituar Turqia. Po mbasandaj, me çivia e kanë bërë kishe ka fituar Serbia. Thashë, Serbia nuk e lëshon pa gjak. Po mundohet ta sllavizojë krejt vendin. E kam provuar një herë. Kam dashur të bëj një telefon në Ferizaj. S’ka! Ne i themi Ferizaj, po ata ia kanë vënë emrin Uroshevac. Thashë, duke i ditur këto, se nuk jam i trentë, unë u çova në luftë me dyqind-treqind veta. Me ata të shkohet në kafe diku, pak janë, jo t’i bihet një qyteti. Lufta, ndash me dhjetë, ndash me dhjetë mijë, luftë është, se po lufton për vend tënd. S’i dihet, a fiton a s’fiton. Besa, m’i ka mësuar Avni Kurteshi këto fjalë.
Ngadalë u çua në këmbë. I lig a, more! Ai u çua në këmbë e unë si i mbështetur këtej. Po vazhdon, mos u ngut, Tërpezë. Valla, bilah, tallah, i kemi punët që kurrë s’i kemi pasur më mirë. Hajde nesër në shtëpi të Enverit e bisedojmë. Shkuam atje, prapë u çua në këmbë, në ato fjalë erdhi ky Arbeni i Maqedonisë, është kryetar, po Arbën Xhaferi. Ai më respekton shumë. Kur ma kanë bërë ditëlindjen, ma ka çuar një letër shumë të fortë. Letrat e mia i ka shpërndarë Klintoni nëpër gazeta. Kur të rrej ty, e rrej Zotin. Hallku e këqyrin interesin e vet. Dy herë më kanë lutur Anglia dhe Amerika që unë të pajtohesha me Jugosllavinë, po nuk kam pranuar. Me komunistë s’pranoj! Hajt, hajt, erdhi puna në Kongresin e Parë më bënë mua që të përzgjidhem në Kongresin e Dytë. Me patën propozuar për Kongresin e Dytë. E u lëshuan krejt edhe shokët përreth. Po kujtojnë që po mbaj hidhërim me Xhaferin, pse ka nisur të bëhet me gjermanë. S’më ka shkuar në mendje ajo punë. Kurrgjë s’ka ditur ai. S’më ka njohur mua.
Mos u ngut, o Hysen, se Salihu të ka ndër mend. Unë e kam mësuar historinë. Lidhja e Prizrenit ka lypur një Shqipëri etnike, trojet shqiptare nga janë. Tri herë e kish pas dënuar bota Lidhjen e Prizrenit. Ndale luftën, ndale luftën, s’e ka ndalur. Të katërtën herë Evropa i ka thanë Turqisë a po i ndal shqiptarët a jo? Ndoshta ti i di këto e po flas kot. Edhe i ra Turqia. I kam parë anijet angleze e franceze kur kanë dalë t’i bien Turqisë. Aty është puna. Po ne shqiptarë jemi, bre. Haxhi Zekën e mbyti Zajmi i Pejës. Ali Pashë Gucisë ia zunë paret, e mbyti Cerna Gorja. Tashti jemi në ujë. Zotit falë, kënaqem që po flas me ty. E di që e ki shqiptarinë në zemër e vdes për të. Nuk të dhimbset jeta. Rugova u thotë amerikanëve: unë dua një shtet të pavarur, as me Shqipëri, as me Serbi, botërisht.
Hapur me Serbi e hapur me Shqipëri – si hani i Dilit?
– Dikush thotë, na edhe bëhemi idare edhe me një republikë. Edhe Thaçi për mua është gabim. Ka qenë këtu dhe ma ka pranuar. Më ka dashur fort. Bile mendo mirë kë e ke brenda. Ademi (Demaçi) thotë me Malin e Zi e me një Serbi e një “Ballkani” e s’di çka. Unë po ta them ty se si me ty kam folur me amerikanët. Ata përpiqen për një të ardhme që ju t’ju lënë pararojë. Ju ta ruani krejt Ballkanin, rojë e kufirit lindje të jenë shqiptarët.
Forca kryesore në Ballkan?
– Forca kryesore.
Sikur Serbia që ka qenë deri tash?
– Mbaroi lufta. Amerikanët në të ’45-tën e humbën luftën. Detin e Zi e mori Rusia. Këta e humbën luftën. Lidhja e Kombeve, gjysma shkoi në Varshavë e gjysma mbeti. Mendojnë këta Lidhjen e Kombeve ta çojnë në Amerikë. I kanë nënshkruar krejt. Këta mendojnë që në një të ardhshme të flenë rehat, ju shqiptarëve t’ju lënë nën kontroll të serbëve. Trimërinë e kemi, po mendjen s’e kemi pasur hiç. Shkollë s’kemi pasur, këto na kanë kushtuar. Amerika kështu s’e pëlqen. As me Shqipëri, as me Serbi, kjo nuk u pëlqen amerikanëve.
Mua që të ma japin besimin, ma kanë dhënë kur kam dalë në Greqi. Armiku edhe po të rriste. Hysen Tërpeza ka dashur t’i rrëzojë tri shtete: Bullgarinë, Serbinë, Shqipërinë. U ka rënë qyteteve. Po të ngarkohej. Po, i kemi pas rënë Ferizajt. Po Amerikës i pëlqen që të kemi një Shqipëri Etnike dhe të mos e hallakatë kush më Ballkanin. Këto janë politika që duhen kuptuar.
Shtet i fortë, i fortë e besnik.
Më besnikë se shqiptarët s’mund të gjejë?
– Më s’mund të flisja! E kam pasur të prerë. Kur më kanë marrë, unë s’kam ditur kurrgjë. Edhe Anglia shumë vjet ka punuar me Amerikë, po pak si me hile. E paska një det diku Anglia, s’e di ku, e deshën t’ia merrnin ata.
Ishujt e Foklandeve, Argjentina ka dashur ta merrte…
– Shkoi Thëçeri atëherë në Amerikë. Ka qenë Regani president, e shpëtoi! Se me hile e kanë pasur anglezët. Kur kam qenë unë në atë grupin “monitor”, anglezi ish ai që na i jepte drejtimet. Përkthyesi ish slloven. Unë serbishten e di më mirë se shqipen. E kam mësuar kur kam qenë i vogël. Më kanë thirrur mua dhe kam shkuar. Unë këtu, amerikani atje, po anglez ishte. Përkthyesi si atje. Unë jam aty. Mustaqet i kam ndrequr shpesh. Isha 42 a 43 vjeç. Po flet amerikani. Herë i bën dy gishta herë tre. E rrëzon një, këta mbeten dy. Prapë i bën tre. Po thotë: Shiko Tërpezë, e kam një bisedë shumë sekrete. Ai, Nikollë emrin, po e thërrisnin Nik. Ai po thotë shoqi që e ke me vete nuk bën ta dijë. Ai ishte i Shqipërisë. Ka vdekur mbasandaj. Shkodran ka qenë, katolik, por shqiptar i mirë. Ishim bashkë. More, i thashë Nikut, ai është më besnik se unë, bre. E njihja për shqiptarizëm. Po, po, po thotë, por ai ka grua. Çka s’ndodh ndërmjet burrit dhe gruas. Këtë fjalë që po e flasim veç ne tre këtu duhet ta dimë.
Po thotë anglezi?
– Po, anglez ishte, por puna ish sekrete!
A folët mbasandaj veç ju tre, apo?
– Ai thotë se kjo veç asht si punë e vdekur. Askush nuk duhet ta dijë. I kam pasur edhe tre a katër kushëri, kanë vdekur, e tybe në paçin ditur kurrë. Përveç njërit që e ka ditur vonë, njëfarë Hajrullahu. Edhe ai, kur e ka ditur, erdhi puna t’i kallëzoja domosdo. Erdhi puna, se e lypte një vend. Edhe mbaroi ajo punë. S’po flas unë kurrgjë. Hajt, hajt, hajt!
Çka u bë më pastaj?
– Unë ia dhashë tre, por dy kanë jetuar e njëri kishte pas vdekur. E kishin pas mbytur bullgarët. E dy kanë jetuar deri vonë. Bile njëri (është i Kopilaçës), kam dëgjuar ka rënë në qytet diku. Është bërë pasanik i madh. Më duket e patën paguar mirë amerikanët.
Si e pati emrin ai i Kopilaçës?
– Nuk e di, ka vdekur edhe ai. Çuditem me këto punë. Kur u bënë 40 vjet, unë dëgjova në radio, kur Amerika e njohu Maqedoninë. Po e njohu edhe Sali Berisha, ishte atëherë president. Rexhep Qosja e kundërshtoi Sali Berishën. Mark Krasniqi u zemërua pse kundërshtoi Qosja dhe e kundërshtoi atë. Kështu, Marku dha dorëheqje nga Akademia. Ka dhjetë vjet kjo punë. U bë një mbledhje këtu në Bernë. Mua më thirrën të thosha një fjalë për këtë trepërqindëshin. Ishte një Galimuna aty. Ishin dyqind-treqind veta. Qe bërë vonë atë ditë. Ishte nga ora 11. U çua njëri, larg atje, e tha aga Hysen, kush është më gabim tash, Amerika që ka bërë punën e vet, apo Rexhep Qosja që e kundërshtoi. A më mirë që e njohu Amerika dhe Sali Berisha? Mark Krasniqi e akuzoi Qosjen pse ka kundërshtuar, kush është më gabim?
Ato janë punë të mëdha. Nuk e di kush as sot. Unë do gjëra që i di, nuk i dinë as ata akademikët. Puna e Maqedonisë, që e ka njohur, këto janë punë të Amerikës. Kjo është një rrugë nëpër të cilën amerikanët mendojnë të shkojnë më larg.
Korridori i tetë?
– Tamam mbas 40 vjetësh, edhe këta zabunat morën kuvet. Me këtë punë erdhi hesapi që as Rusia nuk mundi të bëhej kundër Amerikës. As Kina nuk mundi të ndihmonte, edhe pse është komuniste. As japani nuk bëri gjë. Duhet të dihet se edhe japani nuk është mirë me Amerikë.
Ato dy bombat atomike?
– Heeeee… Njëqind mijë ia mbyti atëherë. Hala lindin sakatë. U zbutën! Këto janë, për shembull, punët e Amerikës. Tani kanë shkuar për t’i vizituar ato shtetet që janë në Varshavë.
Kryesore juve po ju nderon. Po jua bën aeroportin afër. Amerika po na e bën në Sojevë. Veç në derë të na e bëjë?
– Është bërë një punë që miliarda nuk e kishin zanë. Ka pasur rast kur nuk mund të flisja e ata bëheshin nervozë. Të flisja keq unë për Adem Demçin a për ndonjë tjetër, me vinte marre. A gojarisht mund t’u them.
Pështy përpjetë të bie syve?
– Këto janë meseletë.
Tash unë po të kallëzoj. A ka bërë mirë a ka bërë keq, bëje hesap vetë! UÇK-ja u formua dhe ka bërë luftë. Po të mos kishte luftuar UÇK-ja, nuk kanë pasur si ta bombardojnë Jugosllavinë.
Na kanë thënë amerikanët aty kur kanë ardhur. E keni gabim që thoni NATO. Së pari është UÇK-ja, pastaj NATO-ja?
Presidenti amerikan e çoi atëherë Hollbrukun. I tha shko thuaj Rugovës duhet të merret vesh me UÇK-në. Ai hala ka thanë: Jo, unë jam njeri i paqes. More, ai po e mbron pragun e derës, e ky: Jo, unë jam njeri i paqes. Na ka dëmtuar shumë ky njeri.
Ajo paq(j)a asht edhe gjellë?
– Këto janë gjëra që na kanë dëmtuar. Më është bërë tullusum ky njeri. Tashti ne jemi plakur edhe ligështuar. S’po mund të dal përjashta pa më ndihmuar dikush.
Nuk janë punët mirë as sot. Armiku nuk fle. E kam thanë në Gjilan e në Prishtinë. Mendoni mirë, se Sllobodani po thotë: hala nuk e kemi humbur luftën. Vallahi bilahi i ke do njerëz edhe prej nesh që mendojnë ashtu!
Sa të duash.
– Me Thaçin a Krasniqin nuk jam takuar. Ndoshta nuk kanë nevojë për ne, por do gjëra që i di unë, ata hala nuk i dinë. Ata tashti nuk duhet të rrinë. Ajo Amerika tashti po thotë formojeni një qeveri provizore e rregulloni gjërat. Heshtja jonë është dëm. Si e kemi punën me Preshevë, dihet. Ata ishin dy-tri herë këtu. Ata thanë ne jemi gati të luftojmë. Shkiet do të na bien një ditë.
Kishin qenë duke u frikuar shumë?
– Kam hëngër bukë në ato katunde. Një Xhagaduri ka qenë pasanik. Kam qenë me Mulla Idrizin aty. Krejt parinë e kisha me vete.
Erdhën këtu e thanë: Aga Hysen, ne ty po të njohim mirë. Jemi të lumtur. Nga Zoti e nga ti i kemi sytë. Puna jonë, jemi në rrezik. U thashë mos u ngutni. Ne do të vdesim. Ata janë trima të mëdhenj. Tashti këta këtu, çka të rrinë, puna është e dëmshme. Nuk duhet të rrinë hiç. Ta formojnë një qeveri qyshdo. Këta amerikanët nuk duan të thonë, qe, ne po ta formojmë qeverinë. Formoje vetë. Unë e bëra deri këtu e ju vazhdoni. Çka rrinë më këtu këta, pse presin?
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon nesër) /Epoka e re/