Thaçi dhe Veseli ende s’i kanë kthyer përgjigje ministres Haxhiu për takim
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-komandanti Rexhep Selimi do të takohen me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar për Klankosova.tv, Flamur Pireva, këshilltar i ministres së Drejtësisë.
Ai tha se ende nuk kanë marrë përgjigje nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Ministrja do t’i takojë të gjithë, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilët ende s’kanë kthyer përgjigje.
Natyrisht se interesi i delegacionit të Kosovës është që t’i takojë që të gjithë”, ka thënë Pireva.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot udhëton për në Hagë.
Qëllimi i kësaj vizite është që të takohet me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen tash e një vit atje.
Takimet pritet të ndodhin më 30, 31 mars dhe 1 prill.