Thaçi: Dje ndodhi mrekullia, do duhej të shkonim edhe më shumë në Bruksel
“Mrekulli”, kështu e ka quajtur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vendimin e Komisionit Europian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
“Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme dhe historike. Dje ndodhi mrekullia, vlerësim i Komisionit se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret mendoj dhe besoj se është një lajm i mrekullueshëm, diçka që njerëzit në Kosovë e kanë pritur dhe merituar kohë të gjatë”, deklaroi Thaçi në “Zona e Debatit” në “Klan Kosova”.
Thaçi ka shpjeguar edhe përse të gjithë liderët institucionalë udhëtuan për në Bruksel për takimet dyditore.
“Delegacioni do të duhej të ishte edhe më i gjerë. Të gjithë njerëzit dhe të gjitha qeveritë kanë kontribuar në këtë, prandaj ka qenë vendim i duhur, i drejtë dhe i përgjegjshëm. Delegacioni do të duhej të ishte edhe më i gjerë, të ishin edhe liderët e opozitës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se vendimi për liberalizimin e vizave nuk i takon askujt, por është meritë e të gjithëve.
Presidenti ka thënë se fotografisë në Bruksel u mungoi opozita, por edhe opozitarëve do t’u mungoj ajo fotografi historike.