Thaçi edhe të enjten do ta vazhdojë intervistimin në Hagë

15 korrik 2020 | 19:27

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për ditën e tretë radhazi nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në kuadër të Gjykatës Speciale.

As pas përfundimit të ditës së tretë të intervistimit që sërish zgjati rreth 6 orë, presidenti Thaçi nuk bëri ndonjë koment.

Sipas “Zërit të Amerikës”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten në orën 14:00 do të rikthehet për t’u intervistuar në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.

Më 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Presidenti Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për t’i konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me kryetarin e Komunës…