Thaçi: Do të punojmë ngushtë me kryeministrin

15 qershor 2020 | 11:12

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim kryeministrin Avdullah Hoti, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend.

Thaçi pas takimit ka thënë se diskutuan për hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse për respektimin e plotë të rekomandimeve të IKSHPK-së sa i përket Covid-19.

“Besoj se institucionet e vendit dhe vetë Ministria e Shëndetësisë do t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm që të kalojmë sa më lehtë dhe më mirë, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka treguar se çështje tjetër e diskutimit ishte edhe koordinimi në mes të institucioneve në hapat që duhet të ndërmrarrim në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

“Do të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin, si president dhe kryeministër, por edhe me Kuvendin dhe të gjitha partitë politika që të jemi sa më të përgatitur dhe ta kemi të qartë se çka duam ne të arrijmë. Ne duam ta arrijmë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim gjithçka është e qartë: do të respektohet Kushtetuta dhe do të punohet ngushtë me gjithë spektrin politik në mënyrë që ta përmbyllim këtë proces jo të lehtë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se nuk janë në garë se kush do ta mbajë ‘bajrakun’ e dialogut me Serbinë.

“Ne e kemi Kushtetutën ku janë të përcaktuara përgjegjësitë institucionale të bartësve të institucioneve. Me rëndësi është që ekziston vullnet shumë i mirë për koordinim. Do të jemi krahë për krahë me njëri-tjetrin dhe natyrisht që do të punojmë me gjithë lidershipin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit që ka pasur…