Thaçi-Dragusha: Shtetësia po sfidohet brutalisht nga Serbia
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Evgjeni Thaçi-Dragusha, ka thënë se shtetësia e Kosovës është duke u sfiduar nga Serbia.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Republika e Kosovës po përballet me një sërë sfidash që po rrezikojnë çdo gjë që e kemi ndërtuar me shumë mund”.
“Shtetësia po sfidohet brutalisht nga Serbia, duke mos kursyer asgjë në çdo hap që bëjmë. Kosova përballet me bisedimet me Serbinë, me vendimin për liberalizim të vizave, me ngecje për njohje nga vende të tjera që tregojnë se vendi është në një etapë ku secili duhet të mendojë për veprimet e veta”.
“Ndoshta, sfida më e rëndë, është se faktori shqiptar në Kosovë rrallë herë ka qenë më i përçarë, përkundër thirrjeve të PDK –së për unifikim të qëndrimeve, ne nuk mund të biem dakord as për platformë të bisedimeve me Serbinë, që është bazë për përballjen me një kundërshtar të përbetuar”, ka thënë Thaçi-Dragusha gjatë seancës parlamentare për dështimet e politikës së jashtme.
Thaçi-Dragusha ka thënë se ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duhet të raportojë në Kuvend lidhur me lajmet e medieve serbe për tërheqje të njohjeve për Kosovën.