Thaçi: Durimi ynë duhet të shpërblehet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq kanë marrë pjesë në Forumin “To be Secure” në Budva.
Thaçi nëpërmjet një postimi në “Facebook”, deklaroi se është fakt që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por për këtë rrugëgim është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje.
Postimi i plotë i Thaçit:
Në panel me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, para një audience të zgjedhur në forumin “To Be Secure” në Budvë, sot diskutuam hapur për vendet tona, Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Thelbësor në këtë kontekst është fakti që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, për t’u bërë ky rrugëtim më shpejt është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajonin tonë. Padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës po vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve tanë dhe bllokimi i perspektives për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk është duke kërkuar alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kjo duhet të jetë e qartë, si për qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, dua të ritheksoj fuqishëm se në rast se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare (BE, NATO dhe OKB), do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit e institucioneve dhe qytetarët tanë duhet ta mendojnë seriozisht rrugën tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë. Durimi ynë duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret!