Thaçi e Haradinaj ngushëllojnë familjen Hoxha
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë ngushëlluar familjen Hoxha, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Rexhep Hoxha.
Thaçi ka thënë se vdekja e shkrimtarit Rexhep Hoxha është humbje jo vetëm për familjen Hoxha por tërë komunitetin e shkrimtarëve.
“Vdekja e shkrimtarit Rexhep Hoxha është një humbje për familjen Hoxha dhe tërë komunitetin e shkrimtarëve në Kosovë. Ishte një klasik i letrave shqipe, një shkrimtar i guximshëm, me librat e të cilit u rriten shumë breza. Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve të tij!”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa, kryeministri Haradinaj ka thënë se shkrimtari Hoxha ishte një ndër figurat më emblematike të letrave shqipe që shënuan shekullin e 20-të
“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e një prej kolosëve të letërsisë sonë për fëmijë, shkrimtarit dhe pedagogut Rexhep Hoxha. Hoxha ishte një ndër figurat më emblematike të letrave shqipe që shënuan shekullin e 20-të. Breza të tërë në hapësirat shqiptare u rritën dhe u edukuan në frymën atdhetare që ai barti përmes veprës së tij të çmuar, që la trashëgimi. Ngushëllime të sinqerta për familjen Hoxha, për miqtë dhe lexuesit e veprës së tij! U prehtë në paqen e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/