Thaçi e Haradinaj takohen me bashkatdhetarët në Gjermani
Presidenti Hashim Thaçi po qëndron në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Samitin e Berlinit.
Në kuadër të kësaj vizite, ai është takuar edhe me bashkatdhetarë.
Presidenti Thaçi ka thënë se diaspora jonë në Gjermani, tash e katër dekada, pareshtur i ka mbështetur të gjitha proceset në Kosovë: lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.
“Për këtë të fundit, së bashku mund të bëjmë edhe më shumë. Në Gjermani kemi shumë biznesmenë të suksesshëm, të cilët me investime në Kosovë e kanë ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Jam shumë krenar me rrëfimet e sukseseve të tyre në Gjermani”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Edhe Haradinaj ka thënë se diaspora jonë ndër vite ka qenë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së vendit, përkrahje e parezervë e ekonomisë tonë dhe tani, model i suksesit dhe të arriturave.
“Në prani të bashkatdhetarëve tanë, shpreha falënderimin për shtetin gjerman, që po vazhdon të mbaj qëndrim konsistent, që të mos dëmtohet integriteti territorial dhe shtetësia e Kosovës. Vizita zyrtare në Berlin është rast i mirë që ta forcojmë edhe lidhjen tonë bilaterale që e kemi Kosovë – Gjermani. Sfida dhe vështirësi kemi mjaft, por Kosova do të ecë përpara dhe besoj që edhe nga ky takim i sotëm në Berlin, do të dalim edhe më të konsoliduar si Kosovë, në planin rajonal dhe global”, ka thënë kryeministri.
/Epoka e re/