Thaçi e pret edhe sot, por a do të shkojë Kurti në takim?

13 mars 2020 | 11:07

Jo një, por disa ftesa i shkëmbyen mes vete.

Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti u takuan vetëm një herë, një takim që nuk zgjati më shumë se katër minuta.

Por, edhe takimi i vetëm që Thaçi dhe Kurti e patën erdhi pas disa tentativave të dështuara.

Megjithatë një takim i tillë mund të ndodhë edhe sot, pasi presidenti Thaçi është i gatshëm ta presë në zyrën e tij kryeministrin Kurti.

“Presidenti ka gatishmëri për ta takuar edhe sot, por nuk ka ende takim të konfirmuar”, ka thënë Zyra e Presidentit për “Klan Kosovën”.

Por, Zyra e Kryeministrit as nuk e ka konfirmuar nëse Kurti do të shkojë ose jo në këtë takim. Edhe pas disa tentativave të Klan Kosovës, ata kanë qenë të paqasshëm.

Presidenti Hashim Thaçi takoi të gjithë liderët e partive politike, veç e veç, të hënën.

I vetmi që nuk i shkoi në zyrë Thaçit ishte Albin Kurti i cili tha se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka as interes dhe as gatishmëri ta takoj presidentin, derisa si kryeministër një gjë të tillë e ka obligim.

“Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj Presidentin aktual. Si Kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”.

Por, presidenca në një përgjigje për Klan Kosovën tha se takimi i Thaçit me Kurtin kishte qenë i konfirmuar dhe se i njëjti ishte anuluar pak para kohës kur ishte paraparë të mbahej.

Një ditë më vonë, Kurti sërish nuk i shkoi në takim Thaçit i cili ia la të hapura disa termine për takim.

“Në shërbim të obligimeve kushtetuese dhe përgjegjësive kombëtare dhe qytetare edhe dje e kam ftuar që të takohemi dhe të bisedojmë për zhvillimet e reja që janë dramatike dhe shqetësuese për vendin. Edhe sot përsëri pati refuzim për të ardhur për tri a katër mundësitë e ofruara që të takohemi në disa termine. Do të ishte në interes që të gjithë të shpenzojmë energji për përafrim të hapave që do të ndërmarrim”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Në ndërkohë, i pari i vendit përmes një postimi në Facebook e quajti Kurtin – i cili e refuzoi disa herë takimin me të – “të frustruar, gënjeshtar, frikacak, djallëzor dhe të padinjitet”.

Presidenti e kritikoi fort kryeministrin për qëndrimet në raport me taksën duke thënë se “e vetmja konstante e Kurtit është të qenit në anën e kundërt të Amerikës”.

“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin. I padinjitet”.

“Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike.Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”, shkroi ai në Facebook pas fjalimit të Kurtit në seancën e jashtëzakonshme.

Por, historia e refuzimit të takimeve është më e gjatë se vetëm e ditëve të fundit.

Edhe presidenti, që tash po refuzohet nga kryeministri, veproi njëjtë.

Kryeministri Albin Kurti e ftoi dy herë presidentin Hashim Thaçi që të takohen në mënyrë që t’i bashkërendojnë veprimet rreth politikës së jashtme.

Ftesën e parë për një takim për t’i bashkërenduar qëndrimet për çështjet e politikës së jashtme – kryeministri ia bëri presidentit para udhëtimit për në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Por, Thaçi kishte udhëtuar drejt Gjermanisë para se të mund t’i përgjigjej kësaj ftese të Kurtit.

Ftesa e dytë erdhi një ditë pasi që presidenti i vendit u takua me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, por u refuzua.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Covid-19 prek dhe Premier League. Hudson-Odoi ka rezultuar pozitiv, lajm…