Thaçi urdhëron tërheqjen e Çitakut nga pozita e ambasadores në ShBA
Presidenti Hashim Thaçi e ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e bashkëpunëtores së tij shumëvjeçare, ambasadores Vlora Çitaku, nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas pesë vjetëve shërbimi në Uashington, Vlora Çitaku do të kthehet përfundimisht në Kosovë.
Kthimi i saj nisi me shkarkimin nga ish-kryediplomati Glauk Konjufca, e tash ai është nënshkruar nga presidenti Thaçi.
Sipas dekretit që e ka siguruar “Express”, presidenti Thaçi më 2 tetor e ka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në ShBA.
“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, është thënë në dekretin e presidentit Thaçi.
Ambasadorja Çitaku do të qëndrojë në Uashington deri në emërimin e ambasadorit të ri.